02/03/2010 Vendimi i gjykatës: Nuk ka vepër penale për të kërkuar heqjen e imunitetit


Durda dhe Hazizaj: Provat për ministrin Mediu janë në dosjen gjyqësore


TIRANË- Për të dytën herë Gjykata e Lartë ka përmbysur pretendimet e familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit, për të marrë në përgjegjësi penale Fatmir Mediun, ish-ministër i Mbrojtjes. Në bazë të nenit 291 të Kodit të Procedurës Penale, Kolegji Penal vendosi mosfillimin e procedimit penal ndaj Fatmir Mediut. Seanca u zhvillua në orën e10 të paradites së djeshme. Kjo seancë u zhvillua midis të dëmtuarve akuzues Roxhers Durdaj dhe Alketa Hazizaj dhe shtetasit Fatmir Mediu me objekt “Plagosje e rëndë nga pakujdesia”. Pasi ka dëgjuar palët e paraqitura në gjykatë Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me arsyetimin se “nga përmbajtja e kërkesës për gjykim, akteve që i bashkëngjiten kërkesës dhe pretendimeve të mbrojtjes, kolegji vlerëson se në veprimet e mosveprimet e pretenduara nga të dëmtuarit akuzues për shtetasin Fatmir Mediu, nuk ekzistojnë elemente të figurës së veprës penale të plagosjes së rendë nga pakujdesia, parashikuar nga neni 91 i Kodit Penal. Në këto rrethana Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson së nuk ndodhemi para rastit që duhet t’i kërkohet autorizimi për procedim penal Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për këtë vepër penale”. Trupi gjykues i dha fjalën edhe avokatit Ardian Visha, që mbron interesat ligjore të Fatmir Mediut. Në fillim të fjalës së tij, avokati Visha tha se zotërinjtë në fjalë kërkojnë të bëjnë brumin e Prokurorisë petulla. Ai tha se dosja në fjalë e ka marrë zgjidhjen ligjore dhe vetë avokati i palës paditëse, e ka pranuar se çështja është e kotë, pasi ka një vendim gjykate për Mediun. “Qëllimi i këtij procesi është politik, pasi zoti Mediu është gjykuar njëherë për këtë çështje. Në lidhje me marrjen e dokumenteve nga hjykata e Tiranës dhe nga Gjykata e Lartë, Visha tha se pala paditëse kërkon të fitojë kohë”.


Roxhers Durda


Roxhers Durda, 12-vjeçari nga Gërdeci, pretendon se Fatmir Mediu do të jetë gjithmonë i ndjekur nga akuzat. Ai nëpërmjet familjarëve dhe avokatëve është i bindur se ish-ministri i Mbrojtjes me veprimet dhe mosveprimet e tij është përgjegjës për ngjarjen e 15 marsit 2008. Në këtë tragjedi 12-vjeçari ka pësuar plagë të rënda. Nëna e Roxhers Durdës dje pas përfundimit të seancës u shpreh se nuk do ta mbyllin këtu këtë çështje. Ajo tha se do të ketë kërkesa të reja kundër Fatmir Mediut dhe atyre personave të tjera që janë përgjegjës për Gërdecin. Vet Roxhers Durda nuk ishte i pranishëm në gjyq, por përfaqësohej nga avokatët mbrojtës.


Alketa Hazizaj


Është person i dëmtuar nga tragjedia e Gërdecit. Padinë kundër Fatmir Mediut e bëri të veçantë nga ajo e Roxhers Durdës, por objekti ishte i njëjtë. Në këtë rast kolegji bashkoi dosjet në një të vetme dhe i la kohë për grumbullimin e provave. Dje Alketa Hazizaj, e cila ka marr plagë në këtë tragjedi dhe ka humbur disa nga pjesëtarët e familjes, i tha kolegjit se prova më e madhe për Fatmir Mediun ndodhet në dosjen penale që është në shkallën e parë të gjykimit. Por këtë dosje ata nuk kanë arritur ta fotokopjojnë dhe ta risjellin në shkallën e lartë të gjyqësorit. Në këto kushte Hazizaj humbi të drejtën për t’i hequr imunitetin Fatmir Mediut.