Caktohen avokatë të rinj, të pandehurit pranojnë vendimin





Përjashtimi, pas braktisjes disa herë të sallës së gjyqit








Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi përjashtimin e tre avokatëve nga mbrojtja e të pandehurve Lulzim Berisha, Indrit Dokle e Indrit Taullaj, duke caktuar dje tre avokatë kryesisht për mbrojtjen e tyre. Avokatët Arben Qeleshi, Riza Hicka, Petraq Semani e Sokol Hazizi janë zëvendësuar me avokatët Mirela Rate, Jalldiz Kastrati, duke u besuar këtyre të fundit mbrojtjen e kapobandave të Durrësit. Tre të pandehurit janë shprehur se dje kanë mësuar për përjashtimin e avokatëve të tyre dhe nuk po kuptojnë se çfarë po ndodh, duke shtuar se po provojnë njëherë avokatët e rinj, pastaj do shohin si do veprojnë. Togat e zeza e shtynë seancën e djeshme për t’u dhënë kohë avokatëve të caktuar kryesisht për t’u njohur me dosjet për secilin të pandehur, me qëllim përgatitjen e mbrojtjes së tyre. Vendimi për përjashtim të tre avokatëve nga mbrojtja e klientëve të tyre ka qenë braktisja e sallës së gjyqit në mënyrë demonstrative nga ata një seancë më parë. Të paralajmëruar disa herë nga kryesuesi i trupit gjykues, Gurali Brahimllari, avokatëve Qeleshi, Hicka, Semani e Hazizi u është hequr e drejta të mbrojnë Lul Berishën, Indrit Doklen e Indrit Taullajn. Gjykata mori këtë vendim pasi mungesa e herëpashershme e avokatëve mbrojtës po shkaktonte shtyrje njëra pas tjetrës së proceseve gjyqësore, ndërkohë që qëllimi i avokatëve është përfundimi i afateve të paraburgimit për klientët e tyre. Pas vendimit për caktimin e gjykatësve të rinj, trupi gjykues vendosi të enjten e ardhshme si ditën për zhvillimin e seancës së radhës. Të pandehur në këtë proces janë 17 persona, të cilët akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, mes tyre disa vrasje të ndodhura pas vitit '97, kryesisht në qytetin e Durrësit. Shumë prej të akuzuarve si anëtarë të “Bandës së Durrësit” janë arrestuar këto tre vitet e fundit në operacione të organizuara nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka realizuar hetimet për çështjen.





Seanca





Nuk ka kaluar pa debate seanca e djeshme për të pandehurit e “Bandës së Durrësit”. Shkak është bërë një vendim i togave të zeza për të përjashtuar avokatët e kapove të bandës, të cilët shpesh janë bërë shkak për shtyrje të seancave gjyqësore. I pari që e ka marrë fjalën për këto ndryshime ka qenë i pandehuri Indrit Taullaj, i cili u shpreh për avokaten e caktuar se “dje na erdhi një deklaratë që avokati është përjashtuar. Sot na pyesni a e duam këtë? S'po e marrim vesh këtë punë?”. Më pas është shprehur i pandehuri Indrit Dokle, i cili deklaroi se “është puna juaj, caktoni kë të doni si avokat”. Ndërsa rivali i tij, Lulzim Berisha, interesat e të cilëve duket se po takohen për këtë proces gjyqësor, është shprehur pasi dëgjoi të përmendej emri i avokatit të tij, Arben Qeleshi se “ai është përjashtuar”, duke ngritur zërin me qëllim që ta dëgjonte trupi gjykues. Megjithatë, tre nga katër avokatët e përjashtuar kanë qenë dje të pranishëm në sallën e gjyqit, jo nën cilësinë e avokatëve, por si dëgjues. Madje, avokati Hicka, pasi ka dëgjuar t’i përmendet emri nga trupi gjykues, reagoi duke u shprehur se “tashmë jam si të tjerët, një dëgjues, ndaj nuk dua të më përmendet emri”.





Braktisja që solli përjashtimin


Dy kundërshtarët e “Bandës së Durrësit”, Lulzim Berisha e Indrit Dokle, u larguan një seancë më parë në mënyrë demonstrative nga salla e gjyqit, pikërisht në momentin kur i penduari Adriatik Coli do të dëshmonte mbi krimet e kryera nga të dyja grupet që dikur ishin një i vetëm. Dy rivalët bëhen miq me njëri-tjetrin për të sabotuar procesin gjyqësor, duke bërë që të dështojë gjyqi dhe të ngelet në të njëjtën fazë të 1 viti më parë. Justifikimi ka qenë një vendim i dhënë nga gjykata mbi provat që do të sjellë mbrojtja në këtë proces, një pjesë e të cilave janë rrëzuar nga trupi gjykues. Pas kërkesës së avokatit Arben Qeleshi, i cili ka bërë kërkesë që të njihej me vendimin e lexuar nga gjykata, klienti i tij, i pandehuri Lulzim Berisha, i ka kërkuar gjykatës që të merrte një vendim për kërkesën e mbrojtësit të tij. Trupi gjykues, i kryesuar nga ana e gjyqtarit Gurali Brahimllari, i ka bërë me dije edhe mbrojtësve të tjerë se do të njiheshin me vendimin në fund të seancës. Menjëherë pasi prokurori i ka kërkuar gjykatës që të pyetej dëshmitari i parë, pikërisht i penduari Adriatik Coli, i cilësuari si kreu i bandës, Lulzim Berisha, është ngritur në këmbë duke kërkuar të dalë nga kafazi. Gjykata ka vendosur të bëjë 15 minuta pushim, duke iu vënë në dispozicion mbrojtësve edhe vendimin për provat. Pas nisjes së procesit, mbrojtësi i të pandehurit Lulzim Berisha ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues. Vetë i pandehuri ka lënë sallën, duke deklaruar se prokuroria edhe mund të jepte konkluzionet e saj përfundimtare dhe gjykata mund ta dënonte. Në këtë moment, Berisha është mbështetur në vendimin e tij nga kundërshtari Indit Dokle, i cili është ngritur dhe ka braktisur sallën. “Kam nevojë të konsultohem me dy mbrojtësit e mi. Jam injorant, nuk e kuptoj këtë çka shkruhet këtu, prandaj kam mbrojtës ligjorë. Dy mbrojtësit e mi nuk do ta vazhdojnë procesin gjyqësor pa mua”, - u shpreh Dokle, duke u larguar nga kafazi dhe duke mos u lënë të drejtën avokatëve ta përfaqësojnë. Të njëjtin veprim ka kryer edhe i pandehuri Sardjan Sulejmani. Pas largimit të tre të pandehurve nga salla, janë larguar edhe mbrojtësit e tyre ligjorë. Avokatët i kanë bërë me dije gjykatës se ata nuk po largohen në mënyrë demonstrative, por janë duke përmbushur dëshirat e klientëve të tyre, me të cilët edhe kanë lidhur kontrata.