Fatos Mahmutaj

Gjykata e Lartë dhe Kushtetuesja "i falin", "Vefa"-s 420 milionë lekë të një qytetari. Konflikti mes tij dhe administratorëve të ish-firmës piramidale ka nisur prej vitesh, pasi të dyja palët pretendojnë se janë debitorë të njëri-tjetrit, ndërsa gjatë vitit të kaluar të dyja këto gjykata në vendimet e tyre kanë argumentuar se VEFA duhet të paguajë shumën që i detyrohet qytetarit, ndërsa administratorët pohojnë se me anë të një ligji të vitit 1998 ndalohet ekzekutimi i vendimeve gjyqësore për piramidat, pasi për to ende nuk ka mbaruar kontrolli dhe administrimi sipas ligjit. Sipas Gjykatës së Lartë, Apeli i kryeqytetit ka vendosur në vitin 2005 detyrimin e administratorëve të "Vefa"-s, të përfshijnë emrin e qytetarit Gjergj Habilaj në listën e kreditorëve. Pas lëshimit të urdhrit të ekzekutimit përmbarimi ka nisur procedurat për ekzekutimin e vendimit. Në këtë moment administratorët e fajdeve kanë kërkuar pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv si dhe kanë kundërshtuar veprimet përmbarimore me pretendimin se me një vendim tjetër Apeli i Vlorës, ka rrëzuar të njëjtin pretendim të Habilajt.
APELI
Ndërkohë Apeli i kryeqytetit ka rrëzuar padinë e administratorëve të fajdeve me arsyetimin se vendimi i Apelit Vlorë ishte shpallur një vit më parë dhe si i tillë nuk mund të konsiderohet si fakt i ngjarë pas dhënies së vendimit. "Përderisa nuk provohet që titulli ekzekutiv është i pavlefshëm, atëherë nuk ka vend që të kundërshtohen veprimet e përmbaruesit gjyqësor, sepse këto veprime janë të bazuara në një vendim gjyqësor". Po kështu, nga ana tjetër edhe administratorët e ish-piramidës "Vefa" pretendojnë se Habili është debitor në kompani dhe duhet të kthejë një shumë që ka tërhequr kohë më parë.
VENDIMI
 Duke u mbrojtur me këtë pretendim, administratorët e fajdeve kanë pohuar në Gjykatën e Lartë se në bazë të vendimit të Apelit të Vlorës, e cila ka rrëzuar kërkesën e Habilaj. Por ndryshe nga kjo, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë pohon se nuk e gjen të bazuar pretendimin e rekursuesit dhe në të kundër të kësaj, gjen plotësisht të mbështetur në ligj arsyetimin e Apelit, përsa i përket këtij pretendimi. "Kodi parashikon se kur titulli ekzekutiv është një vendim gjyqësor, ekzekutimi i tij mund të kundërshtohet vetëm për fakte të ngjara pas dhënies së vendimit.
Një gjë e tillë nuk rezulton të jetë provuar gjatë gjykimit të çështjes, por edhe sa pretendohet, shkaku për të kundërshtuar titullin lidhet me një vendim të mëparshëm gjyqësor të formës së prerë në raport me vendimin që kundërshtohet. Për pasojë, vendimi i Apelit që shpall qytetarin Habilaj kreditor të "Vefa"-s, duhet lënë në fuqi si i bazuar në ligj", përfundon Gjykata e Lartë.


Tërheqja e palës kërkuese, Kushtetuesja pushon gjyqin
TIRANE - Konflikti i vazhdueshëm gjyqësor mes Gjergj Habilajt dhe administratorëve të ish-firmës piramidale "Vefa" ka mbërritur pak muaj më parë në Gjykatën Kushtetuese, ku kërkuesi Habilaj është tërhequr nga procesi pasi Gjykata e Lartë ka vendosur në favor të tij. Kushtetuesja pohon në vendim se Habilaj me vendimin numër 94, datë 28 shtator 2005 të Apelit, Tiranë, është shpallur kreditor te shoqëria "Vefa" në administrim për shumën 42.830.484 lekë. Ky vendim ka marrë formë të prerë pasi pala e paditur nuk ka ushtruar ndaj tij rekurs brenda afatit 30 ditor. Ndërkohë, në nëntor të vitit 2005 Apeli ka lëshuar urdhrin e ekzekutimit dhe përmbarimi ka filluar procedurat e ekzekutimit të vendimit në muajin janar 2006. në këtë moment administratorët e "Vefa"-s, i janë drejtuar Gjykatës së Lartë duke kërkuar fillimisht rivendosjen në afat dhe më pas rishikimin e vendimit të Apelit, kërkesa të cilat nuk janë pranuar nga Gjykata e Lartë. Më pas administratorët i janë drejtuar Apelit me objekt pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv dhe kundërshtimin e veprimeve të përmbaruesit gjyqësor. Por, njëlloj si më parë, kjo Gjykatë ka vendosur në favor të Habilajt duke rrëzuar padinë. Më pas, në janar të vitit të kaluar Gjykata e Lartë, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të Apelit, i cili nuk është ekzekutuar. Kjo ka bërë që Habilaj t'i drejtohej Kushtetueses, duke kërkuar konstatimin e cenimit të së drejtës për një proces të rregullt ligjor për shkak të mosekzekutimit të vendimit gjyqësor.