TIRANE-Mbyllet procesi gjyqësor për skandalin seksual me të miturit në qendrën "Fëmijët e tij" në Tiranë. Dy britanikët, Dino Kristodulu dhe Robin Arnold u cilësuan fajtorë nga gjykata për abuzime seksuale dhe homoseksuale me të miturit që strehoheshin në qendrën e cilësuar si bamirëse, e cila nuk rezultoi aspak e tillë. Pas më shumë se dy vitesh proces, trupi gjykues i kryesuar nga Shefkie Demiraj, tha fjalën e fundit për dy të pandehurit, duke dënuar me 20 vjet Dino Kristodulu dhe 15 vjet heqje lirie Robin Arnold. Në vendimin e saj gjykata tha se dy të pandehurit janë prezantuar si vullnetare në qendrën "Fëmijët e tij" dhe më pas kanë abuzuar seksualisht me të miturit e pastrehë. Dy britanikët u shpallën persona "non grata", pra të padëshirueshëm për vendin tonë, ndaj pas përfundimit të dënimit do të dëbohen nga Shqipëria. Dy të pandehurit të cilët ishin të pranishëm në sallën e gjyqit, reaguan ashpër kur gjykata i shpalli fajtorë për skandalin seksual që tronditi mbarë opinionin. Teksa linte kafazin e hekurt, Dino Kristodulu, me një shqipe të çalë dhe tejet i acaruar akuzoi si të korruptuar gjykatën shqiptare. Robin Arnold tha se "ky është një krim". Vendimi Për dy vite me radhë gjykata ka shqyrtuar dhjetëra prova dhe fakte të sjella në procesin penal ndaj dy britanikëve, Dino Kristodulu dhe Robin Arnold, të dyshuar se në bashkëpunim me David Braun kishin kryer marrëdhënie seksuale dhe homoseksuale me të miturit e strehuar në qendrën "Fëmijët e tij" në Tiranë. Fëmijët rrëfyen para gjykatës trajtimin çnjerëzor dhe abuzimet që u ishin bërë nga të pandehurit. Minorenët deklaruan se dy britanikët i kishin dhunuar seksualisht e fizikisht. Gjithashtu, ekspertët mjekoligjorë kishin konfirmuar shkencërisht se fëmijët e strehuar në qendrën "Fëmijët e tij" ishin abuzuar seksualisht. Ndaj si përfundim, gjykata i gjeti fajtorë dy britanikët dhe dënoi me 20 vjet Kristodulu dhe 15 vjet Robin Arnold, të cilët do ta kryejnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë për shkak të rrezikshmërisë që paraqesin. Pasi të përfundojnë dënimin, dy britanikët do të dëbohen nga Shqipëria. Më parë gjykatat shqiptare kanë dënuar me 20 vjet heqje lirie David Braun, administratorin e qendrës. Skandali u zbulua në vitin 2005, kur një i mitur u shoqërua në komisariat si i dyshuar për vjedhje dhe rrëfeu për abuzimet seksuale në qendër. Dy të pandehurit, Dino Kristodulu dhe Robin Arnold u gjykuan në një proces të ndarë nga David Braun, pasi u arrestuan në Britaninë e Madhe dhe u ekstraduan më vonë drejt Shqipërisë. (d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)