Gjithçka do të startonte në zhegun e vapës së 15 gushtit ‘83 dhe do të mbyllej pas një jave. 

AFRIM IMAJ

I vlerësuar zyrtarisht i hapur, gjyqi i Fiqirete Shehut, gruas së ish-kryeministrit komunist, do të zhvillohej tërësisht në masa të rrepta sigurie në praninë e një auditori të përzgjedhur, ku përveç krerëve të sigurimit dhe liderëve partiakë, askush tjetër nuk do të lejohej për të kapërcyer pragun e sallës së Gjykatës së Lartë, ku e pandehura “VIP” përballej me krerët e drejtësisë komuniste. Kryqëzimi i Fiqirete Shehut dhe disa ish-liderëve politikë të kohës në gushtin e vitit ’83, ka qenë një nga proceset më të bujshme të periudhës komuniste në Shqipëri. Gazeta “Panorama” për herë të parë pas 25 vitesh zbulon dokumentin e rrallë
me procesverbalin voluminoz të procesit gjyqësor në ngarkim të Fiqirete Shehut, Llambi Ziçishtit, Nesti Nases e Skënder Shehut, të akuzuar “për tradhti të lartë ndaj Atdheut dhe puç ushtarak për përmbysjen e diktaturës së proletariatit në Shqipëri”. I ndërtuar tërësisht në procedura të fshehta me 20 muaj izolim, mijëra orë hetime, 20 seanca gjyqësore, dhjetëra ballafaqime monstruoze, procesi është mbyllur triumfalisht me dënime nga më të rëndat. E vlerësuar si e penduar, e veja e kryeministrit që bashkëpunoi fund e krye me “drejtësinë” për të përligjur alibinë e radhës të policisë së fshehtë, do të dënohej me 25 vite burg. Po kaq do të ishte verdikti i trupit gjykues edhe për Nesti Nasen, ish-ministrin e Jashtëm. Ndërkohë që miku i tyre, Llambi Ziçishti, ish-kreu i Shëndetësisë, do të dënohej me vdekje. Duke filluar nga sot, do të botojmë të plotë vendimin dhe pjesët më të rëndësishme të kësaj dosje për të hedhur dritë mbi të vërtetat dhe misteret e përjetuara gjatë çasteve dramatike të përballjes maratonë në procesin gjyqësor të ditë-netëve të nxehta të gushtit ’83, ku drejtësia komuniste shqiptare do të kryqëzonte një nga gratë më të fuqishme të Shqipërisë të pas Luftës së Dytë Botërore.
Prej vitesh, njerëz të ndryshëm kanë rrëfyer sipas mënyrës së tyre çfarë kanë ditur rreth kësaj historie. Në shumë raste mjaft syresh kanë zbardhur anë të veçanta të ngjarjeve të ndryshme, ku të ndëshkuarit e gjyqit të gushtit ‘83 kanë qenë protagonistë të tyre. Ka pasur rrëfime për rolin dhe kontributin e tyre në organet e Sigurimit të Shtetit. Ka pasur të tjerë që kanë folur për represionin që kanë ushtruar ata si personazhet kryesore të policisë sekrete shqiptare. Mjaft subjekte të kësaj natyre ka zbardhur herë pas here edhe gazeta “Panorama”, duke ftuar në faqet e saj bashkëkohësit e bashkëvuajtësit e të ndëshkuarve të gjyqit të gushtit të ‘83. E vërteta është se është folur, por edhe është abuzuar shumë me këtë histori, duke krijuar një amalgamë kujtimesh, që herë i vë në pozicionin e inkuizitorit e herë në rolin e martirit. Pa pretenduar identifikimin me të vërtetën, duke botuar të plotë dialogët e procesit gjyqësor sipas procesverbalit përkatës dhe incizimeve të mbajtura në sallën e gjyqit, mendojmë se i ofrojmë opinionit një profil afër të vërtetës për atë gjatë dënimit të gruas së ish-kryeministrit.
Për herë të parë lexuesit kanë rastin të vlerësojnë nga afër metamorfozën e Fiqirete Shehut, e cila në emër të bashkëpunimit me drejtësinë u bë protagonistja kryesore e akuzës, duke penalizuar, së pari, të shoqin e saj Mehmet Shehun, si një nga poliagjentët më të rrezikshëm, i rekrutuar, sipas saj, qysh në vitet ‘30...
VENDIMI NË EMËR TË POPULLIT
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë të RPSSH, në trup gjykues nën kryesinë e: Arianit Çelës – Kryetar i Gjykatës së Lartë, me sekretarë Ylli Mahmuda e Sadik Memo dhe me pjesëmarrjen e Prokurorit të Përgjithshëm, Rrapi Mino, prej datës 15 gjer më 29 Gusht 1983 gjykoi në shkallë të parë në seancë gjyqësore me dyer të hapura çështjen penale nr. 7 akti, që u përket të pandehurve:
1.    FIQIRETE SHEHU, e bija e Abedinit dhe e Hedijes lindur në vitin 1919 në qytetin e Beratit dhe banuese në Belsh të Elbasanit, me shtetësi e kombësi shqiptare, me origjinë shoqërore fshatare e pasur, me gjendje shoqërore nëpunëse ish-drejtoreshë e Shkollës së Lartë të Partisë “V.I. Lenin” në Tiranë), me arsim të lartë, nuk mbanë tituj nderi ose dekorata, e padënuar më parë, e arrestuar më 6 Janar 1982.
2.    LLAMBI ZIÇISHTI, i biri i Petro dhe i Juiles, lindur në vitin 1923 në Ziçisht të Korçës dhe banues në qytetin e Tiranës, me shtetësi e kombësi shqiptare, me origjinë shoqërore zanatçi individual dhe me gjendje shoqërore nëpunës, ish-ministër i Shëndetësisë) i martuar, ka dy fëmijë, i përjashtuar nga Partia, me arsim të lartë, nuk mbanë tituj nderi ose dekorata, i padënuar më parë, i arrestuar në datën 15 maj 1982.
3.    NESTI NASTE, i biri i Vancit dhe Olimbisë, lindur në vitin 1922 në qytetin e Korçës dhe banues në Tiranë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me origjinë shoqërore qytetar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës ish-ministër i Punëve të Jashtme, i ve pa fëmijë, i përjashtuar nga Partia, me arsim të mesëm, nuk mban tituj nderi ose dekorata, i padënuar më parë, i arrestuar më 8 janar 1982.
4.    SKËNDER SHEHU, i biri Mehmetit dhe Fiqiretes, lindur më 1949 në qytetin e Tiranës dhe banues në Belsh të Elbasanit, me shtetësi e kombësi shqiptare, me origjinë e gjendje shoqërore nëpunës, i pa martuar, me arsim të lartë, nuk mbanë tituj nderi ose dekorata, e padënuar më parë, e arrestuar më 8 Janar 1982.
TË AKUZUAR SE:
I)    Janë vënë në shërbim të agjenturave të huaja dhe kanë kryer detyrat e ngarkuara prej tyre; II) kanë marrë pjesë në organizata kundërrevolucionare të kryesuara nga tradhtari dhe poliagjenti Mehmet Shehu, që ka pasur për synim të godasë PPSH, udhëheqjen Marksiste-Leniniste dhe të përmbysë pushtetin popullor në Shqipëri; III) kanë kryer veprime përgatitore terrori për eliminimin fizik të Sekretarit të Parë të KQ; IV) kanë sabotuar vijën politike dhe ekonomike të Partisë, duke i shkaktuar shtetit 1.219.763 lekë dëm material dhe V) kanë zhvilluar agjitacion dhe propagandë kundër shtetit, d.m.th., se kanë kryer krimet e parashikuara përkatësisht nga nenet 47 germa “g’, 57, 50 paragrafi I-rë në lidhje me nenin 11 paragrafi i parë 53 dhe 55 paragrafi i parë të Kodit Penal të RPSSH.
Trupi gjykues, gjatë gjykimit të çështjes, dëgjoi shpjegimet e secilit të pandehur, thëniet e shumë dëshmitarëve, administroi drejtpërdrejtë aktekspertizën, dokumente dhe prova të ndryshme materialo-shkencore, si dhe dëgjoi bisedimet e fundit, gjatë të cilave:
Prokurori kërkoi të deklarohen fajtorë të pandehurit për krimet që akuzohen dhe, në bazë të dispozitave ligjore që parashikojnë këto krime, përfundimisht të dënohen:
- E pandehura Fiqirete Shehu me 25 vjet heqje të lirisë,
- I pandehuri Llambi Ziçishti me vdekje,
- I pandehur Nesti Naste me 22 vjet heqje të lirisë,
- I pandehuri Skënder Shehu me 15 vjet heqje të lirisë.
Kurse në fjalën e mbrojtjes, të katërt pranuan fajësinë e tyre për krimet e akuzuara, deklaruan se janë penduar thellë dhe kërkuan dënim më të butë.
Trupi gjykues, duke u bazuar në faktet dhe rrethanat e çështjes:
VËREN:
Nga gjykimi rezultoi plotësisht e provuar akuza në ngarkim të pandehurve, anëtarë të organizatës kundërrevolucionare të kryesuara nga armiku-poliagjenti Mehmet Shehu. Ata në mënyrë të organizuar e të vazhdueshme për një kohë të gjatë kanë zhvilluar veprimtari kundër RPSSH dhe PPSH, duke synuar të likuidonin me dhunë diktaturën e proletariatit dhe socializmin, të vendosnin diktaturën fashiste borgjezo-revizioniste dhe të restauronin një rend kapitalist në Shqipëri.
Të pandehurit Fiqirete Shehu, Llambi Ziçishti dhe Nesti Naste, në bashkëpunim me armiqtë e tjerë dhe nën drejtimin e tradhtarit, terroristit dhe sabotatorit Mehmet Shehu, duke shfrytëzuar edhe postet shtetërore, kanë vepruar për të minuar sigurimin  e jashtëm, kanë zhvilluar veprimtari terrori, kanë sabotuar në fusha të ndryshme të veprimtarisë shtetërore, kanë propaganduar kundër Partisë e shtetit shqiptar.
Veprimtaria armiqësore e të gjithë këtyre tradhtarëve të drejtuar nga poliagjenti Mehmet Shehu, e lidhur ngushtë dhe përbën një të tërë me gjithë veprimtaritë armiqësore duke filluar nga armiqtë Koci Xoxe, Nako Spiro, Sejfulla Malishova, Liri Belishova, etj., e deri tek grupet armiqësore të kryesuar nga Beqir Balluku, Abdyl Këllezi, Fadi Paçrami etj.
Duke u mbështetur në të gjitha provat e administruara gjatë shqyrtimit të çështjes, gjykata arrin në përfundim se e gjithë veprimtaria e tyre paraqet në vetvete veprimtari plotësisht të organizuar, me karakter të qëndrueshëm, e cila udhëhiqej nga pikësynime të caktuara, veprimtari e zhvilluar në bazë të një plani të përbashkët.
Nga dokumentet dhe deponimet vërtetohet se që në vitet ’30 zbulimi amerikan rekrutoi si agjent, ndër të tjerë dhe Mehmet Shehun. Për të rritur kredon politike dhe për të krijuar kushtet që të depërtonte në lëvizjen revolucionare, agjentura amerikane dërgoi atë për studime ushtarake në Itali më pas në luftën e Spanjës si gjoja luftëtar antifashist. Kjo agjenturë së bashku me inteligjencën angleze, e kthyen Mehmet Shehun në Shqipëri në kohën kur shpërthente e fuqishme flaka e luftës antifashiste Nacionalçlirimtare.
Por, ndërsa populli ynë derdhte gjak për lirinë e vendit, ata përpiqeshin ta sabotonin. Në krye të përpjekjeve ishin anglo-amerikanët. Me këto u bashkua dhe revizionizmi jugosllav, sepse ata kishin kaptuar në krye të partisë jugosllave, Titon.
Emisarët titistë në Shqipëri nisën të rekrutojnë në shërbim të zbulimit jugosllav (OZNA e atëhershme, UDB e sotme) disa nga kuadrot kryesorë si Mehmet Shehun dhe Fiqirete Shehun, e të tjerë, të cilët u përpoqën të krijojnë kushte që Shqipëria të shndërrohej në një vend i varur nga Jugosllavia.
Agjentët jugosllavë, sidomos Mehmet Shehu dhe Fiqirete Shehu, Liri Gega, luajtën një rol të poshtër prapa shpinës së partisë, duke përdorur terrorin dhe duke mbajtur qëndrime sektare, me qëllim që të godisnin, diskreditonin e të shkëpusnin popullin nga Partia Komuniste.
Sipas detyrës së caktuar të Anglo-Amerikanëve, Mehmet Shehu vuri në rrezik Shtabin e Përgjithshëm gjatë operacionit gjerman të dimrit në vitin 1943-1944, u përpoq të pengonte kalimin e Divizionit të Parë në veri dhe asgjësimin e plotë të ushtrisë gjermane në Tiranë e të bandave të Abaz Kupit me shokë.
Poliagjenti Mehmet Shehu Ka vepruar me synim që, pas luftës në Shqipëri të vendosej rendi borgjez, ku në krye të ishin kapitalistët e shfrytëzuesit. Qartë pasqyrohej ky qëllim në të ashtuquajturin “program politik” të përgatitur 40 vjet më parë dhe u gjet në kasafortë pas vetëvrasjes. Ky program është i përqafuar edhe nga Fiqirete Shehu e të tjerë. Vetë kjo e fundit shpjegoi:
“… Mehmet Shehu më ka thënë se Kadri Hazbiu në vitin 1943 ka vajtur në Korrush, tek shtëpia e Mehmet Shehut. Aty Mehmeti i ka lexuar programin Kadriut, dhe këtij i pëlqeu shumë dhe tha që është dokument me rëndësi të madhe”
Sikurse rezultoi nga zhvillimi i gjyqit, titistët dhe ambasada sovjetike në Tiranë në vitin 1956 organizuan komplotin antiparti në Konferencën e Tiranës. Në krye të komplotistëve dhe nxitës ishte Mehmet Shehu. Për këtë aktivitet Fiqirete Shehu deponoi:
“… me porosi të UDB unë u vura në lidhje me Feçorr Shehun … dhe me agjentë të tjerë që UDB kish vendosur t’i hidhte në veprim të hapur…”, këtë moment ajo e konkretizoi edhe gjatë gjykimit të çështjes. Ndërsa agjentë më me peshë si Mehmet Shehu, Beqir Balluku ishin lënë në rezervë për të sulmuar në çastin vendimtar.
vijon nesër...


Videoja me dëshminë e Fiqiretes bëri xhiron e tërë qyteteve

Bashkëkohësit mbajnë mend një video misterioze, që u shpërnda pak ditë para se të bëhej gjyqi i Fiqirete Shehut. E përgatitur me dëshmitë e saj nga njerëzit e policisë sekrete, ajo bëri xhiron e tërë qyteteve dhe qendrave të rëndësishme urbane të vendit. E veja e kryeministrit të vetëvrarë në rrethana të dyshimta, pohonte me gojën e saj tërë misterin e ngjarjes së bujshme. Të gjithë ata që e njihnin habiteshin me dëshminë e Fiqirete Shehut, bashkëshortes së Mehmet Shehut. Në videon fantazmë ajo rrëfente me bindje, komplote pas komplotesh të llogaritura nga bashkëshorti i saj dhe të tjerë, vetëm që të hiqnin qafe Enver Hoxhën. Pas dëshmive të saj kupola mendonte se do të mbylleshin të gjitha dyshimet për vetëvrasjen e kryeministrit. Po shpejt njerëzit do fillonin të vinin në diskutim deklaratat e saj, duke menduar se ajo po përsërite çfarë i diktonin. Ndërkohë, lindën hipotezat e para sipas të cilave Fiqiretja bënte gjithçka vetëm me qëllim që të shpëtonte pjesën tjetër të familjes, fëmijët.


neser do te lexoni



Pohimi i Fiqirete Shehut në sallën e gjyqit: Mehmeti është rekrutuar nga zbulimi amerikan që në vitet ‘30
Skënder Shehu, djali i kryeministrit, nëpërmjet të atit u lidh në vitin ‘79 me agjenturën perëndimore
Si u vu në shërbim të UDB-së Llambi Ziçishti në vitet ‘50 dhe cili ishte misioni i tij në radhët e komplotistëve.
Nesti Nasja dhe misioni i tij si agjent i KGB-së së Bashkimit Sovjetik
Dyzimi i të pandehurve dhe pohimi i tyre për morinë e akuzave si bashkëpunëtorë të poliagjentit Mehmet Shehu.