Një nga gjyqtarët e Dritan Dajtit, Skënder Damini (majtas), me avokatin e tij

Në një intervistë për TCH, avokati i gjyqtarit të Apelit Vlorë, Skënder Damini, i cili u shoqërua në polici pasi iu gjetën në banesë 17 000 euro dhe disa fishekë, ka dhënë detaje mbi ndalimin e klientit të tij.


Pasi është marrë në pyetje për vlerën monetare të gjetur në shtëpinë në Farkë, gjyqtari ka thënë se ajo shumë i përket djalit të tij. Më pas, Damini është lënë i lirë.


Zoti Ferdinant Doja, si e argumenton Gjykata e Krimeve të Rënda vendimin e kontrollit në banesën e gjyqtarit Skënder Damini? Për çfarë vepre është në hetim gjyqtari i Apelit Vlorë?


Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur që në banesën e Skënder Daminit të ushtrohet kontroll. Këtu ka dhe një emër tjetër që është avokat mesa di unë. Mund të jetë avokati i Dritan Dajtit


Hetimet për çfarë vepre janë regjistruar?


Për korrupsion pasiv dhe aktiv.


A e ka favorizuar gjyqtari Skënder Damini Dritan Dajtin për sa kohë ka aplikuar gjykimin e shkurtuar?


Gjykimi i shkurtuar nuk është favorizim. Ne akoma nuk kemi parë vendimin e arsyetuar nga kjo gjykatë dhe mendoj se është shumë e shpejtuar dhe një precedent shumë i rrezikshëm fakti që pa dalë vendimi, pa kaluar në të gjitha shkallët e gjykimit të bëhet kjo raprezalje ndaj gjyqtarit. Është precedent i rrezikshëm ky dhe të gjithë gjyqtarët janë terrorizuar sot.


Çfarë hapash do të ndërmerrni pas këtij kontrolli të befasishëm në banesë?


Do të presim me qetësi hetimet dhe më pas besoj se Damini do të kërkojë në rrugë ligjore dëmin moral që i është shkaktuar.


Kujt i përkisnin paratë?


Janë të djalit të tij, i cili merret me biznes. Ka toka të marra me qira në Lushnje.


Po fishekët?


Janë të Skënder Daminit, i cili ka pasur leje për armë, por me daljen e ligjit për armët e ka dorëzuar atë, por fishekët i ka harruar.


A e ka zbardhur pjesën e vet të vendimit për Dritan Dajtin?


Akoma nuk e ka zbardhur dhe ky është problemi: ende pa u zbardhur vendimi merren këto masa. Fakti që pikërisht për këtë vendim ka nisur çështja penale, si mundet që ta zbardhë këtë vendim?