Katër persona, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, janë arrestuar nga policia në Tiranë. Të arrestuarit janë Leonard Duka, Elvis Gaçaj, Oltian Loga dhe Dritan Agaj.


Shtetasi i arrestuar Leonard Duka, 32 vjeç, dyshohet se është kreu i grupit kriminal.


Një nga të arrestuarit, Elvis Gaçaj, ka qenë objektiv i një atentati në lulishten 1 Maji me 1 tetor të 2015 ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagos vetë Gaçaj.


Gjykata e Tiranës ka dënuar me burg për jetë Sael Sulaj dhe 30 vjet Vasil Çavon si  autorë të vrasjes së Kevin Rugovës dhe Aurora Oskianit si dhe plagosjes së Elvis Gaçaj.


Gaçaj është akuzuar gjithashtu  për parcelat e hashashit në zonën e Shëngjergjit.


Të arrestuarit, të cilët u kapën pranë shkollës Partizani janë në Drejtorinë e Policisë Tiranë.


Policia ka ushtruar kontroll në banesën me qera ku këta shtetas jetonin, pasi dispononte nga qytetarët informacion se këta shtetas mbanin në banesë sende të kundraligjshme.


Gjatë kontrollit të ushtruar këta shtetas janë munduar të largojnë sendet e kundraligjshme duke hedhur një pjesë të tyre nga ballkoni i banesës.


Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale:


– Një mjet të blinduar;

– Një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë;

– 46 fishekë luftarak, si dhe doza me lëndë narkotike kanabis.


Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të tyre, si dhe të përfshirjes të personave të tjerë.


Materialet do ti kalojnë për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale të Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike dhe Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve e municionit luftarak e kryer në bashkëpunim.