Durrës





Viktimës i janë dëmtuar seriozisht zorrët, por jo organet e tjera vitale. Policia arreston të dyshuarin për ngjarjen dhe sekuestron makinën e vjedhur




Aleks Kalemasi


Durrës - është arrestuar nga policia i dyshuari kryesor i grabitjes me dhunë të një mjeti, gjatë të cilit u plagos rëndë edhe pronari i makinës. Andi Dalipi, 20 vjeç, lindur dhe banues në lagjen numër 18 të qytetit të Durrësit, është prangosur nga efektivat e policisë të sektorit të luftës kundër krimit ndaj personit dhe pronës. Operacioni për arrestimin e të kërkuarit është organizuar në orët e mesditës së djeshme, për t’u përmbyllur disa orë më pas.


Tri ditë më parë, saktësisht në mbrëmjen e datës 16 shkurt 2010, në rrugën Shkozet-Durrës është gjetur me fare pak shenja për jetën një djalë 20 vjeç në anë të rrugës, i cili ishte mbuluar në pellgun e gjakut. Viktima quhet Z. P. dhe është banues në lagjen numër 13 në Plazhin e Durrësit. Ai është dërguar në spitalin rajonal dhe vazhdon të jetë në gjendje shumë kritike për jetën, pasi ka marrë shumë plagë me mjete të ftohta në pjesën e barkut. Afro dy ditë pas ngjarjes së rëndë policia ka identifikuar autorin, si dhe e ka arrestuar atë, ndërsa ka sekuestruar edhe makinën grabitur dhunshëm natën e krimit.


Rreth orës 18.40 të datës 16 shkurt 2010, në Shkozet, është plagosur në bark shtetasi me inicialet Z. P., lindur dhe banues në Plazhin e Durrësit. 20-vjeçari po përshkonte me mjetin e të atit me targa DR 5732 E rrugën e Shkozetit. Burime policore thonë se ai është detyruar të ndalojë, pasi rruga i është bllokuar nga i akuzuari i krimit, Andi Dalipi. 21-vjeçari Dalipi i lindur dhe banues në lagjen numër 18 të qytetit të Durrësit, i ka kërkuar drejtuesit të mjetit ta marrë si pasagjerë në makinë. Ai madje thuhet se e ka kanosur, duke i bërë të ditur se po nuk e dërgoi deri tek Ura e Dajlanit, rreth 1 km nga vend ku nisi sherri, do e vriste. Por kanosja duket se nuk ka pasur efekt te 21-vjeçari Z. P., pasi ai nuk i është bindur agresorit. Ky i fundit ka mundur të hapë derën e mjetit dhe sapo është futur brenda, pa debatuar më gjatë me drejtuesin e mjetit, ka nxjerrë thikën dhe e ka goditur në bark. Policia ka thënë se viktima ka marrë disa goditje në pjesën e barkut, duke i dëmtuar seriozisht zorrët, por mjeti i ftohtë nuk i ka prekur murin e zemrës dhe as mushkëritë. Gjithnjë sipas burimeve zyrtare të policisë, palët fillimisht kanë debatuar dhe më pas Dalipi ka sulmuar pa asnjë shkak të rin 20-vjeçar që kishte marrë makinën e të atit për të shkuar në qytet. Pasi drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin, agresori Andi Dalipi e ka hedhur jashtë mjetit në rrugë dhe është larguar me makinën e vjedhur. I riu i plagosur është marrë nga kalimtarët e lagjes së Shkozetit dhe është vënë në një mjet për t’u transportuar për në spital. Për dy ditë policia ka mbajtur nën vëzhgim disa persona, ndërsa në mëngjesin e djeshëm ka marrë informacione të shumta lidhur me autorin e krimit dhe grabitësin e mjetit. Andi Dalipi është vënë në pranga dje pasdite, ndërsa është sekuestruar edhe mjeti tip “Benz” me targa DR 5732 E. Oficerët e policisë gjyqësore po hetojnë shkaqet që kanë shtyrë vrasësin drejt krimit, pasi deri tani nuk kanë mundur të zbulojnë asnjë motiv, ndërsa flitet se palët në konflikt panë pasur njohje më parë. Madje për të zbuluar emrin e personit që ka kanosur 21-vjeçarin është dashur të pritet derisa Z. P. ka mundur të flasë sa për të treguar emrin e të dyshuarit.