Doug Jones u bë demokrati i parë në 25 vite që fitoi një vend në senat si përfaqësues i shtetit të Alabamës pas një fushate të hidhur kundër republikanit Roy Moore.


Fitorja e tij e papritur, është një shuplakë për presidentin Donald Trump, i cili mbështeti Moore pavarësisht akuzave me sfond seksual kundër tij.


Me të gjitha votat e numëruara Jones rezulton të ketë fituar 49.9 përqind të mbështetjeve, kundrejt 48.4 përqind të rivalit republikan. Por ky i fundit refuzon të pranojë rezultatin.


Fushata e tij tha se meqenëse rezultati ishte mjaft i ngushtë, ata do të veprojnë sipas rregullave dhe do të kërkojnë rinumërimin e votave. Fushata e Moore u shënjua nga pretendimet për ngacmime seksuale ndaj disa adoleshenteve. 70-vjeçari konservator, i cili ka mendon se homoseksualiteti duhet të jetë i paligjshëm, i ka mohuar vazhdimisht akuzat kundër tij.


Presidenti Trump uroi në Twitter fituesin demokrat dhe tha republikanët, do të kenë një rast tjetër për ta marrë këtë vend të Senatit brenda një periudhe të shkurtër kohe. Fitorja e Jones, ish-prokuror i njohur për ndjekjen penale të dy anëtarëve të Ku-Klux-Klanit, përgjegjës për shpërthimet në kishat e Birmingamit në 1963, e ngushton epërsinë e republikanëve në Senat në 51 vende kundrejt 49.


Rezultati vë në rrezik propozimet republikane për taksat, buxhetin dhe kujdesin shëndetësor si dhe injekton energji të re në përpjekjet e Partisë Demokrate për të rifituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat në zgjedhjet e mesit te mandatit të vitit 2018. Zgjedhjet në Alabama u zhvilluan për vendin në senat, të lënë vakant nga Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions.