Gjirokastër-Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo ka evidentuar një sërë problemesh gjatë vizitës së sotme në spitalin jugor të vendit. Krahas problemeve të infrastrukturës dhe mungesa të tjera, ajo ka vënë në dukje mungesën e theksuar të mjekëve specialistë.


“Një problem shumë i madh në shëndetësi është mungesa e ndjeshme e mjekëve specialistë nëpër spitale. Në mënyrë të veçantë kjo mungesë ndihet në qytetin e Tepelenës”- ka theksuar Godo, sot gjatë vizitës në spitalin rajonal të Gjirokastrës, “Omer Nishani”.


Në një takim me mjekë dhe drejtues të këtij spitali, Godo ka vlerësuar investimet që po kryehen së fundi në këtë spital. Ajo ka deklaruar se reforma në shëndetësi është e nevojshme e për këtë arsye do të realizohet deri në fund.