Presidenti i Asamblesë së Partisë Republikane, Sabri Godo kritikoi dje qëndrimin e Prokurorisë së Përgjithshme për çështjen “Mediu” dhe kërkoi që kryetari i shtetit të jetë i vëmendshëm.
Për heqjen e imunitetit të kryetarit të PR-së, Fatmir Mediu, republikani Godo tha se kërkesa e prokurorisë prej pothuajse 700 faqesh, ishte një nënvleftësim i Kuvendit ose mungesë profesionale nga ana e prokurorisë. Ai i bëri thirrje presidentit Bamir Topi që të ndërhyjë te prokuroria për këtë çështje. “Presidenti Topi para disa ditësh garantoi qytetarët, se mund të besojmë tani në prokurorinë e re që funksionon në Shqipëri. Unë do t’i kërkoja presidentit Topi të rishikonte këtë veprimtari të fundit të prokurorisë, në mënyrë që me të vërtetë të ecim me këtë drejtim, që të fillojmë të besojmë më në fund se kemi një prokurori që i trajton çështjet për së mbari”, deklaroi Godo. Në lidhje me marrëdhëniet PR-PD, Godo shprehu shqetësimin se “disa individë në PD, sikur kanë tendencë të mënjanojnë disi nga koalicioni”. “Ankimi im shkon në dy drejtime, e para se PD-ja asnjëherë nuk e çoi deri në fund zotimin e saj në bazë të marrëveshjes që bëmë pas zgjedhjeve për ndarjen e posteve jo vetëm në nivel qeveritar, por edhe në administratën lokale. Jo vetëm këtë, por shikon që fillon edhe largimi i njerëzve në mënyrë të pamotivuar”, tha Godo, duke i bërë kështu thirrje kryeministrit Berisha që të ndërhyjë që “këta njerëz të mos krijojnë njëlloj përçarjeje të koalicionit”.
Godo gjithashtu është shprehur dje pro referendumit nga populli për ndryshimet kushtetuese. Ai ka kërkuar që të mos ndërhyhet shpesh në Kushtetutë për të bërë ndryshime të herëpashershme, duke iu referuar edhe diskutimeve që kanë nisur për kufizimin e imunitetit. “Nuk ka asnjë siguri që nuk do të vazhdojmë, meqë e mësuam dorën, se do të ndërhyjmë në Kushtetutë herë pas here. Atëherë duhet të themi që Kushtetuta nuk ekziston, por mbetet vetëm si skelet, kurse në brendi lëvizim si na vjen për mbarë. Në kushte të tilla, unë do të përkrahja edhe idenë e referendumit, të pyetet populli”, ka deklaruar republikani Godo, i cili është edhe një ndër hartuesit e Kushtetutës. Duke folur për çështjen e përfshirjes së PR-së në kabinetin qeveritar, Godo tha se “ne e kemi thënë mendimin tonë dhe tani pritet që kryeministri Sali Berisha të thotë fjalën e tij”. Republikani Godo theksoi gjithashtu, se republikanët kanë durim për të pritur për këtë çështje, pasi kryeministri Berisha “mund të ketë projektuar një ribërje të kabinetit qeverisës dhe me këtë rast të zgjidhë problemin e hapur që ka me PR-në”. Ai hodhi poshtë mundësinë që Fatmir Mediu apo ai vetë të bëheshin pjesë e kabinetit, duke lënë të kuptohet se do të jetë një republikan tjetër që do t’i përfaqësojë ata në qeveri. “Fatmir Mediu nuk dëshiron të kthehet në qeveri pa u sqaruar tërësisht puna e tij dhe gjithsesi, kjo çështje nuk shtrohet brenda kësaj legjislature. Ky është vendim personal i Mediut. Ai nuk bën lojëra të lërë një ministri për të marrë një tjetër, vetëm sa për të kaluar hendekun. Mediu është një politikan serioz dhe i përgjegjshëm”, deklaroi Godo.