Republikani i njohur thotë se koalicioni i ardhshëm duhet të jetë i hapur për të gjitha partitë, por interes i veçantë duhet të tregohet për partitë tradicionalisht të djathta. Ndërkohë, një sërë partish joparlamentare presin ftesën për të bashkëpunuar me PD-në
Ringritja e së djathtës me prirje tradicionaliste është menduar nga republikani Sabri Godo si interes me rëndësi, që votat e përfaqësuesve të këtyre shtresave të mos humbasin. Godo thotë se forcat politike të traditës së djathtë janë të mirëseardhura për të dhënë ndihmesë në forcimin e koalicionit që drejton sot vendin. Godo përmend Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar, që mbështetet te konservatorizmi dhe Ballin Kombëtar. Në një kohë kur në kampin e djathtë kanë nisur diskutimet se cilave parti parlamentare dhe joparlamentare u duhet bërë një ftesë për të qenë pjesë e koalicionit të ardhshëm parazgjedhor të drejtuar nga Partia Demokratike, politikani i njohur republikan Sabri Godo thotë se në këtë proces nuk duhet të harrohen parti tradicionalisht të djathta. Sipas kryetarit të Nderit të Asamblesë Republikane, vota e së djathtës duhet të bashkohet në zgjedhjet e ardhshme, prandaj partive joparlamentare, si Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Dashamir Shehit dhe Balli Kombëtar, duhet t’iu bëhet ftesë bashkëpunimi. Ndërsa për sa i përket kampit demokristian të shpërndarë në disa parti e grupime politike në formë fraksionesh, Godo thotë se fillimisht duhet të qartësohet situata, pastaj mund të diskutohet për këtë çështje. Për sa i përket kryetarit të Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, politikani Godo thotë se tashmë ai e ka shprehur qëndrimi e tij, që nuk do të jetë në koalicionin e djathtë. “Kodi u miratua tashmë dhe do të hapen bisedime. Secili krah politik do të shikojë se ku ka aleatë të vet për të shkuar në zgjedhje”, thotë Godo, duke lënë të kuptohet se shumë shpejt do të nisin edhe orientimet dhe diskutimet për koalicionet parazgjedhore. Megjithatë, sipas Godos, koalicioni i djathtë duhet të jetë i hapur për çdo parti që dëshiron t’i bashkohet.
Aleatët parlamentarë
Diskutimin se cilat parti duhet të bëjnë pjesë në koalicionin e djathtë e ka iniciuar seria e deklaratave të kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili shprehej se koalicioni duhet të jetë i hapur dhe të pranojë edhe parti joparlamentare për të maksimalizuar kështu votën e së djathtës. Ndërkaq, deri tashmë partitë aleate që kanë deklaruar se do të jenë me Partinë Demokratike në koalicionin parazgjedhor janë Partia Republikane, Partia Agraro-Ambientaliste dhe Bashkimi Liberal-Demokrat. Ndërkohë, Partia Demokrate e Re tashmë është shkrirë dhe në zgjedhjet e ardhshme prezantohet si pjesë e PD-së, dhe jo më si PDR. Për sa u përket dy partive të tjera që formalisht janë akoma në koalicion me PD-në, Partia Demokristiane dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, ajo që është e sigurt deri tani, është që ato nuk do të dalin në zgjedhje përkrah Partisë Demokratike. Ndërkohë, në radhët e PD-së është diskutuar disa herë bashkimin në koalicion i kreut të Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, i cili tashmë ka marrë edhe postin e nënkryetarit të parlamentit, post që i përket PD-së. Megjithatë, deri tashmë Ceka nuk ka deklaruar zyrtarisht nëse do të jetë me PD-në apo jo.
Kush merr ftesa
Ndërkohë, në kampin joparlamentar, partitë më të lakuara për të qenë pjesë e koalicionit të ardhshëm me Partinë Demokratike janë dy ballët: Balli Kombëtar dhe Balli Kombëtar Demokrat. Në diskutime nuk mbetet pas as Lëvizja e Legalitetit, e cila përfaqësohet në qeveri me kryetarin Ekrem Spahia, që është zëvendësministër i Kulturës. Po ashtu, edhe Partia për Drejtësi dhe Integrim e Tahir Muhedinit pritet që të marrë një ftesë, në mënyrë që edhe vota e komunitetit çam të numërohet si votë e djathtë. Ndërkohë, emri i LZHK-së së Dashamir Shehit nuk lakohet shumë, edhe pse vetë e djathta duket se ia ndjen nevojën kësaj partie. Po ashtu, në diskutime nuk mbeten pas as demokristianët e Anton Gurakuqit dhe demokristianët e Nikollë Lesit, që kanë shprehur vullnetin për të bashkëpunuar me Partinë Demokratike, në rast se do të ketë ndonjë ftesë konkrete. Megjithatë, gjithçka mbetet e hapur dhe do të jetë vetë PD-ja, e cila do të vendosë se cila prej siglave të këtyre partive do të vendoset në ftesat që po përgatiten.