Reperi i njohur Gold Ag më 28 nëntor do ta plasojë në treg albumin e tij më të ri, i cili titullohet Aga in da House. Ky është albumi i tretë që Gold Ag plason në shitje, pas atyre dy të parëve Lanet dhe Amaneti.



Reperi me prejardhje nga Presheva tha se albumi i tij i ri e mban emrin e një kënge të re, e cila është pjesë e këtij albumi.



Albumi i përmban gjithsej 20 këngë. 17 prej tyre janë të papublikuara, pra këngë të reja. Kurse vetëm tri janë dëgjuar më herët si: Allah, Luftojmë për fitore dhe Erdha n'Preshevë. Pra, 20 këngë janë të kompletuara pa intro outro ose interlude siç i mbushin të tjerët vetëm për numër, deklaroi për Express Gold Ag. Gold Ag në disa këngë të këtij albumi, të cilat Express ka mundur ti dëgjojë, i ka fyer disa nga anëtarët e Baba Records.



Madje Gold Ag një këngë të këtij albumi e këndon bashkë me reperin shumë të njohur e përfolur që jeton në Amerikë, Unikkatil. Kënga me Unikkatilin pritne ma mirë, se sharrë e keçe është hahaha, tha Gold Ag duke qeshur. Mysafirë në albumin tim janë: Unikkatil, Elita 5, Andin Randobrava, Avdush Krosa dhe Monika Salihu, të cilët i falënderoj shumë. Albumin e kam incizuar shumicën në Randobrava Records, me përjashtim të disa tjerave që janë punuar në dy studio tjera, theksoi ai.