Filipo Inzagi nuk e heq nga mendja golin që i shënoi Teutës në ndeshjen Parma-Teuta 2-0. Ai ishte goli i tij i parë në Kupat e Evropës dhe e kujton me nostalgji atë moment. 

“Goli im i parë? Nuk e harroj kurrë. E shënova 12 vjet më parë kundër Teutës së Durrësit. Shënova golin e dytë dhe megjithëse e dija që nuk kishte ndonjë vlerë specifike, pasi ne ishim të kualifikuar në ato momente, u gëzova tej mase. Edhe në ndeshjen e parë skuadra kishte fituar 2-0, por unë doja të shënoja me çdo kusht. U gëzova tej mase, por nuk mendova asnjëherë se do të thyeja rekordin e Gerd Mylerit në ato momente. Goli kundër Teutës mbetet dashuria ime e parë dhe nuk kam për ta harruar kurrë”, ka thënë Inzagi. Ai ka pohuar gjithashtu se i erdhi shumë keq që nuk luajti në ndeshjen e parë. “Sapo kisha debutuar në Serinë A dhe mezi prisja të shënoja gol. Nuk luajta në ndeshjen e parë, por për fat të mirë trajneri Nevio Skala më aktivizoi ndeshjen e dytë dhe arrita të shënoja”, ka thënë sulmuesi.