TIRANË-Gjermania dominon Holandën në super përballjen e Grupit B në Kharkiv. Pa bërë llogari dhe formula për ndeshjet e fundit të këtij Grupi, Gjermania me këtë sukses është vetëm një pikë larg kualifikimit ndërsa Holanda ka nevojë për mrekulli por edhe lojë në fushë që të kalojë në fazën tjetër. Supersfida e mbrëmjes nisi më mirë për djemtë e Van Marwijk që kontrollonin topin por nuk arrinin të shkonin te porta e Neuer ndërsa Gjermania nisi të tregojë vlerat në fushë pas 15 minutave të para.

Për “panzerat” ishte thelbësore rikuperimi i plotë i Schweinsteiger dhe në fakt në këtë ndeshje mesfushori tregon që po arrin formën sepse jep 2 asist të mrekullueshëm për bomberin Mario Gomez. Goli i parë vjen në kufirin e zonës së Holandës me Gomez që e merr mrekullisht topin e me të djathtën mposht Stekelenburg. Holanda çorientohet pas golit akoma më shumë dhe Gjermania shënon sërish në minutën e 38 po me Gomez që shërbehet sërish nga shoku i tij i skuadrës te Bayerni. 2-0 në 45 minuta shokojnë Holandën e në pjesën e dytë Van Marwijk bindet për të hedhur në fushë Huntelaar e Van der Vaart që zëvendësojnë zhgënjyesit Afellay e Van Bommel. Gjërat ndryshojnë shumë pak te tulipanët që gjejnë rrjetën falë individualitetit të Van Persie e jo lojës së skuadrës por në 4 raste të tjera Stekelenburg shpëtoi skuadrën nga golat e tjera. Me fitoren 2-1, Gjermania i afrohet çerekfinales por nuk është kualifikuar ende.

Në ndeshjen e fundit, “panzerat” duhet të marrin minimalisht një pikë për kualifikim ndërsa Holanda kualifikohet nëse mund me 2 gola diferencë Portugalinë e gjithashtu duhet të marrë dhuratën nga gjermanët që duhet të mundin Danimarkën. (Marre nga Super-Sport)

Finalja e parakohshme e 2 ekipeve 
Gjermania fitoi sot në Evropian kundër Holandës, pas plot 32 vitesh, që nga dueli i parë që kanë pasur këto dy kombëtare në kompeticionin kontinental. Ndërkohë, tre përballjet e kaluara në kampionatin evropian kanë përfunduar dy herë me fitoren e “tulipanëve” dhe një herë barazim. Sa i përket bilancit të përgjithshëm, ai është i ekuilibruar, pasi secila prej ekipeve përfaqësuese ka nga 14 fitore dhe 10 sfida kanë përfunduar në barazim.

(d.b/BalkanWeb)