Sa herë që etërit e Selisë së Shenjtë iu drejtoheshin besimtarëve me rastin e Krishtlindjeve, çasti më i bukur ishte kur vinte radha që në gjuhën shqipe të shqiptohej urimi: "Për shumë mot Krishtlindjet". Më 4 shtator 2016 në sheshin e Shën Pjerit në Vatikan ishin mbledhur rreth treqindmijë njerëz në ditën kur shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu, Nëna Tereze, 19 vjet pas vdekjes po shpallej shenjtëreshë. Sheshi i Shën Pjetrit asnjëherë në historinë e tij nuk kishte pasur më shumë shqiptarë, nuk kishte pasur përfaqësim më të lartë dhe më të plotë institucional, qoftë nga vendi i origjinës, Kosova, qoftë nga Shqipëria. 1. Shqiptarët në Vatikan. Emri i saj mblodhi një botë të tërë të bindjeve të ndryshme fetare, pa dallim race dhe kontinenti. Ajo bëri që në ditën e shenjtërimit të flitet edhe gjuha shqipe në meshë. Krahas italishtes e latinishtes, që dominuan për arsye të njohura, pjesë të caktuara u thanë edhe në gjuhën frënge, atë portugeze, bengale dhe kineze. Në gjuhën shqipe u thanë fjalët e lutjes universale: "Mbushe plot me Shpirtin tënd, o Zotbarinj e besimtarë ndjejnë dëshirënta shuajnë në vëllezërit etjen e Jezusit".

Që në vigjilje të shenjtërimit, mediet më të fuqishme botërore e spikatën origjinë shqiptare të Nënë Terezës. Në sheshin e Shën Pjetrit delegacioni i Kosovës ishte në vendin e nderit. Në sheshin e madh binin në sy flamuj shtetëror të Kosovës, edhe aso të të ngjitur me flamuj kombëtar. Edhe flamuj të tjerë. Flamujt shqiptarë, i Kosovës dhe ai kuqezi po valonin jo vetëm fizikisht në Sheshin e Shën Pjetrit. Ishte valvitje e shpirtit perëndimor, e orientimit nga vlerat e civilizimit oksidental të një populli që ka filluar fazën e stabilizimit që në fillim të shekullit XXI.

Në sheshin e Vatikanit në orën 9.30 filluan të bien kambanat e paralajmërimit të ndodhisë. Binin dy kambana në dy krahët alternativë, të ndryshëm. Për dhjetë minuta. Zhvillohet mesha. Në orën 10.41 Papa Françesku shpalli shenjtërimin e Nënë Terezës, e cila nga ai moment do të quhet Shën Tereza. Edhe vetë papa e pranoi ndjenjën nostalgjike me ndarja nga ndajshtimi "Nënë". Edhe shumë qytetarë shqiptarë në rrjetet sociale. Dëshirojnë ta quajnë Shën Nënë Tereza. Sido që të jetë secila fjalë më e bukur se tjetra. Gonxhe Bojaxhiu - Nëna Shenjte. Me të kaluar gjysma e meshës erdhi një moment kur u kërkua nga të pranishmit që "njëri tjetrit t'ia jap shenjën e paqes", moment kur atë që ke pranë ia zgjat dorën, e përqafon ose i buzëqesh. Në një çast të tillë secili e bën një autotest për të bëmat në jetën e tij. Secili ka dëshirë të brendshme që të ketë diçka nga vlerat e Shën Terezës.

Në këtë mënyrë, në sytë e tërë botës, Shën Tereza është ajo që emrin e saj e shndërroi në vlerë botërore. Për shpirtbardhësi, bamirësi, humanitet, solidaritet me të varfërit, me të pafuqishmit. Përmes jetës dhe përkushtimit në shërbim të njerëzve ajo dëshmoi se mbi çdo logjikë tjetër ajo e paqes, mirësisë është më universalja, më pozitivja dhe më jetëgjata. Shqiptarët duhet të jenë krenar që botës i ofruan një profil të tillë. Historia e njerëzimit në fund të fundit zhvillohet për të prodhuar vlera të tilla: më shumë paqe, mirëkuptim, liri dhe dinjitet për njeriun. Në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës doli në pah edhe qëndrimi paradoksal ndaj saj në të kaluarën qoftë si pavërejtshmëri në Kosovë, qoftë si refuzim për t'u takuar me të afërmit e saj në Shqipëri. Lartësimi i vlerave të saj përmes kanonizimit nga Selia e Shenjtë tregoi më së miri se sa janë të përkohshme luspat ideologjike, paragjykimet dhe anatemimet e padrejta ndaj personaliteteve me frymë universale. E nga ana tjetër, nuk ka si të mos thuhet se në kohën moderne askush sa Shën Tereza nuk bëri për afirmimin e emrit shqiptar, ashtu siç mund të thuhet se as Shqipëria e Kosova nuk bënë për Shën Terezën atë që e bëri për të bota e krishterë - katolike. Kjo u vërtetua më së miri në meshën e 4 shtatorit, datë e cila hyri tashmë në histori. Hyri në histori e vërteta që një personalitet nga bota shqiptare u shpall shenjtore, nga qendra kryesore e krishterimit. Papa Françesku në fjalën e tij edhe njëherë e nxori në pah dhe në shkëlqim vlerën e mëshirës, njëjtësimin e vullnetit të Zotit dhe njeriut kur për çdo ditë kryhet një vepër humane me vullnet të brendshëm, kur me vetëdije të plotë bëhet një vepër e mirë për njerëzit në hall, duke mos harruar edhe një çregullim aktual global, krizën e refugjatëve.

  1. Kaosi protokollar.

Por, krahas vlerave globale, shenjtërimi i Nënë Terezës edhe njëherë e shpalosi fytyrën e brishtë institucionale të botës shqiptare. Pikë reference do të ishtë dallimi në mes aktivitetit të mbrëmjes së 3 shtatorit në ambientet e bazilikës së Shën Palit dhe meshës në Sheshin e Shën Pjetrit.Derisa mesha shenjte respektoi protokollin njëqind për qind, sipas një libri 112 faqesh (61 faqe, pasi që teksti ishte i përkthyer në anglisht) duke lexuar pjesë nga Besëlidhja e Re, fragmente nga Besëlidhja e Vjetër, fjalimi i Papës, shoqërimi i këngëve biblike nga kori i katedralës së Shën Pjetrit, derisa hapësirat e delegacioneve nga mbarë bota mbaheshin nën kontroll të respektimit të numrit të mysafirëve, një natë më parë fytyra e protokollit shqiptar shpalosi dobësitë evidente qoftë edhe në Romë. Nëse lejohet edhe një element i ri, që definon shqiptarët e dy shteteve, i sprovuar në Tiranë dhe Prishtinë edhe para 3 shtatorit 2016, atëherë shlirë mund të thuhet se shqiptarët janë kombi më çprotokollar i mundshëm. Rrëmuja dhe zhurma e një publiku që tejkalon shifrën për një koncert solemn, nuk ndalet dhe as qetësohet që nga fillimi deri në fund të programit. Madje këtë nuk e bën as prania e yjeve si Rita, Inva dhe Ermonela, për të cilën soprano disa muaj më parë revista e njohur "Time" bëri një shkrim në faqet e kulturës. Mosrespektimi i uljes nëpër karriget e rendeve të para, ardhja e paparashikuar e njerëzve, ulja në karrigën e huaj, ulja me imponim janë gjeste të gjithëpranishme dje dhe sot, kudo dhe në çfardo manifestimi që organizohet në hapësirat shqiptare, e siç po shihet edhe jashtë tyre. Devijimi i programit që publiku e merr gjoja të shtypur ishte i pranishëm edhe në koncertin e 3 shtatorit. Mungesën e një artisti përpiqet ta mbulojë artisti tjetër. Një luftë dinake midis primatit dhe epërsisë së Tiranës zien online, në proces e sipër të zhvillimit të koncertit. Sopranoja Ermonela Jaho është zëvendësim për gjithçka. Shto edhe faktin që vetëm në momentin e fundit organizatorja e koncertit Diana Toska, e cila në mënyrën më të keqe përpiqet të mbledh ca kredi personale, në moment të fundit tregon para publikut dhe medieve se koncertin e mbështet financiarisht qeveria e Kosovës. Edhe një tregues i logjikës së kaosit protokollar shqiptar. Në vend të përfundimit: Nuk ka qytetar shqiptar që nuk i lexon drejt tri shenjat e Selisë së Shenjtë në raport me shqiptarët. Së pari, Papa Françesku vizitën e parë jashtë Vatikanit e bëri në Shqipëri. Së dyti, u shenjtërua Nënë Tereza dhe, së treti ai premtoi për ta vizituar Kosovën. Vatikani po bën gjithçka që shqiptarët t'i nxjerrë mbi sipërfaqe.

Marrë nga "gazetaexpress.com"