Një bandë me 5 grabitës të armatosur deri në dhëmbë hyri dje në aeroportin Nënë Tereza dhe arriti të marrë pa i hyrë gjemb në këmbë rreth 10 milionë euro nga barku i avionit të Austrian Airlines.


Incidenti i djeshëm me paratë që po transferoheshin për në Vjenë, ka vendosur në alarm palën austriake, e cila ka reaguar nëpërmjet zëdhënëses së kompanisë ajrore, Tanja Gruber.


Ajo ka thënë për mediat se si masë sigurie do të ndërpriten transferimet e mëtejshme në këtë formë me Tiranën, ndërsa shteti shqiptar ka ngelur vetëm në kuadrin e një deklarate të ministres Belinda Balluku për forcimin e masave të sigurisë.


Pas grabitjes me armë nuk pati asnjë rrezik për ekuipazhin dhe udhëtarët. Avioni u vonua për tri orë. Si një masë sigurie, nuk do të ketë transferime të mëtejshme në para nga Tirana në Vjenë, u shpreh zëdhënësja.


Ndërkohë, prestigjozja britanike The Guardian dhe media të tjera ndërkombëtare shkruajnë se paratë e grabitura po dërgoheshin nga një bankë e huaj që operon në Shqipëri drejt Vjenës.


“Këto banka i dërgojnë valutat e forta në kryeqytetin austriak, pasi banka qendrore shqiptare nuk i pranon këto depozita”, thuhet në artikujt ndërkombëtarë.


Grabitja spaktakolare në Aeroportin e Rinasit është pasqyruar nga një numër i madh mediash botërore ndër të cilat BBC, The Guardian, New York Post, Daily Mirror, Daily Mail, Daily Express etj.


Ato sjellin dinamikën e plotë të ngjarjes dhe shkruajnë se shuma e vjedhur ishte 2.5 milionë euro, pavarësisht se përmendin edhe mediat shqiptare që flasin për një shumë deri në pesë herë më të madhe.


The Guardian shkruan se grabitje të ngjashme janë kryer të paktën edhe dy herë të tjera gjatë tre viteve të fundit në aeroportin ndërkombëtar Nënë Tereza, ndërsa BBC veçon se në shkurt 2017, në këtë aeroport u vodhën 3.2 milionë euro dhe policia më vonë gjeti një pjesë të parave të fshehura në tenxhere me presion.