Në emisionin Të Paekspozuarit, është duke u diskutuar për çështjen e grabitjes së pronave në Shëngjin dhe gazetarja Klodjana Lala ka dhënë detaje ekskluzive nga dosja e Prokurorisë së Lezhës mbi zyrtarët e arrestuar, mes të cilëve edhe kreu i bashkisë Fran Frrokaj.


Lala përmendi edhe emrin e ish-kryetarit të komunës së Shëngjinit, Salvador Kaçajt, të cilit i është falsifikuar firma për tjetërsimin e pronës.


Është falsifikuar gjithashtu edhe vula dhe firma e ish kreut të komunës Shëngjin Salvador Kaçaj. Shitblerja është bërë me një shpejtësi shumë të madhe. Kjo tokë është ne sekuestro dhe një nga emrat që rezulton si pronar që e ka blerë është një biznesmen, tha Lala.


Me një ndërhyrje nëpërmjet një lidhje telefonike, falsifikimin e firmës e ka pranuar edhe vetë Salvador Kaçaj.


Më kanë falsifikuar firmën. E kam parë në prokurori, ajo nuk është firma ime, u shpreh Kaçaj.


Ndërkohë nga studiot e Top Channel një nga qytetarët, të cilit i janë grabitur pronat në zonën e Vainit, deklaroi se janë rreth 300 mijë metra katrorë që i kanë përvetësuar të tjerë persona.


Njëri e kishte marrë me 50 vota, tjetri e kishte marrë si kusur për një apartmanet që kishte blerë, ndërsa i treti kishte paguar 5 milionë lekë, tha ai.


22 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)