Grabitja e 10 milionë eurove në aeroportin e Rinasit ka ngritur në këmbë shtetin dhe pavarësisht se kryeministri Edi Rama, dhe ministrat Sandër Lleshaj e Belinda Balluku janë kujdesur që tia faturojnë përgjegjësinë të gjithën koncesionarit, pritet që të ketë koka turku edhe nga agjencitë shtetërore të aviacionit.


Balluku sulmoi ashpër koncesionarin e TIA-s mbrëmjen e djeshme pas deklaratës për media të kinezëve, të cilët e ndanë fajin për grabitjen me shtetin shqiptar, duke thënë se kanë njoftuar në kohë policinë për neutralizimin e grabitësve.


Në situatën e rëndë që i është krijuar aviacionit civil shqiptar për shkak të ngjarjes së datës 9 prill, në situatën ku është cenuar siguria kombëtare dhe si rrjedhojë edhe ajo ndërkombëtare pasi aviacioni është një sektor pa kufij, reagimi i koncesionarit kinez tregon jo vetëm papërgjegjshmëri, po dhe mosperceptim të demit që ka shkaktuar për vendin, tha ajo.


Duke i quajtur pronarët e menaxherët e TIA-s, Phelivanë, ministrja e Infrastrukturës theksoi se koha e fjalëve ka mbaruar dhe koncesionari do të përballet me ligjin për dëmin që i ka shkaktuar vendit.


Ne do ta përballim kompaninë deri në fund me përgjegjësitë e saj, jo vetëm për cenimin e vazhdueshëm të sigurisë, jo vetëm dëmet e për efektin negativ që ka krijuar mbi sistemin bankar, por edhe për prishjen e imazhit kombëtar kudo në botë. Ky imazh që na është dashur mund e përpjekje të shumta për ta përmirësuar, për të kthyer Shqipërinë në një destinacion turistik, përpjekje të cilat kanë sjellë edhe rritjen e vazhdueshme të numrit të turistëve e vizitorëve dhe si rrjedhojë rritjen e të ardhurave vjetore për aeroportin gjithashtu, nuk mund të goditet pa paguar deri në fund dëmin!, theksoi Balluku.


Por përveç faturimit të përgjegjësisë mbi koncesionarin e TIA-s, sipas informacioneve që kanë qarkulluar prej mbrëmjes së djeshme, ministrja Balluku do të presë kokën e parë pas supergrabitjes.


Kurbani i qeverisë në këtë rast do të jetë Krislen Keri, të cilit me shumë gjasë i është komunikuar shkarkimi nga detyra e drejtorit të Aviacionit Civil.


Është  pikërisht Autoriteti, ai që ushtron kontroll periodik për zbatimin mes të tjerave edhe të masave të sigurisë në aeroportin e Rinasit dhe kështu mbi Kerin rëndon një pjesë e përgjegjësisë për ngjarjen.


Ndërkohë kujtojmë se Krislen Keri është i biri i ish-deputetit të PS-së, Pilo Keri.