Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda la dje në burg të arrestuarit pas grabitjes së 1 milion eurove në Rinas.

Makina e grabitesve ne Rinas
Makina e grabitesve ne Rinas

Togat e zeza lanë të pandryshuara masat shtrënguese për personat e arrestuar për "shpërdorim të detyrës", me pasojë grabitjen e 1 milion eurove në Aeroportin e Rinasit më 30 qershor 2016, shkruan "Panorama".

Dosja në ngarkim të katër prej tyre që hetohen në "arrest në burg" dhe një tjetri në "arrest shtëpie" i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Krujës, duke lënë në "ngërç" situatën juridike në të cilën ndodhen të arrestuarit.

Në masën "arrest në burg" gjendet aktualisht shoqëruesi i vlerës monetare, Kujtim Picari dhe punonjësit e shoqërisë ICTS, Arben Karafili, Bledar Blloshmi e Fadil Jonuzaj, ndërsa drejtorit i Shërbimeve Aeroportuale, Vangjel Nikolla, është në "arrest shtëpie".

HETIMI

Prokuroria për Krimet e Rënda ka vlerësuar se vepra penale, për të cilën akuzohen të arrestuarit, nuk është kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal që të jetë në kompetencën e saj. Vendimi për kalimin e dosjes në Krujë ka ardhur, pasi nga hetimet ka dalë se zyrtarët e aeroportit dhe policisë private nuk kanë bashkëpunuar me autorët e vjedhjes.

Apeli i Krimeve të Rënda duhet të shqyrtonte dje ankimet e avokatëve mbi vendimin e Shkallës së Parë të datës 5 gusht, që nuk pranoi lirimin e të dyshuarve nga qelia. Për shkak se dosja i ka kaluar Prokurorisë së Krujës, Apeli i Krimeve e gjeti veten jokompetent për t'u shprehur.

Avokatët e të arrestuarve vijojnë të pretendojnë se klientët e tyre po mbahen në paraburgim pa vendim gjyqësor. Situata juridike me të akuzuarit e kësaj çështjeje u fut në "ngërç", pas një vendimi të Apelit për Krimet e Rënda të datës 2 gusht 2016.

Në këtë vendim Apeli rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Shkallës së Parë për caktim të masës së sigurisë "arrest në burg" ndaj të dyshuarve. Më herët, të pandehurit kishin marrë një masë sigurie "arrest në burg" nga Gjykata e Krujës, pasi fillimisht dosja u hetua nga prokuroria e këtij rrethi gjyqësor, por pasi dosja i kaloi për kompetencë Krimeve të Rënda, këto masa u rivlerësuan.

Avokatët pretendonin se vendimi i Apelit i datës 2 gusht zhvlerësoi masat e sigurisë dhe se masat e dhëna nga Gjykata e Krujës e kishin humbur vlerën, kur dosja kaloi për kompetencë te Krimet e Rënda.

Për këtë shkak, avokatët iu drejtuan Shkallës së Parë me një kërkesë për lirim të menjëhershëm, kërkesë që nuk u pranua nga gjykata. Sipas Prokurorisë, të akuzuarit e kësaj dosjeje me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë sjellë ardhjen e pasojës së vjedhjes së shumës prej gati 1 milionë eurosh brenda ambienteve të aeroportit të Rinasit, më 30 qershor 2016.

Vendimin e Prokurorise se Krujës per moskompetencën dhe dërgimin e dosjen për hetime të mëtejshme pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë.(lexo me shume ketu)

ARMAND BAJRAMI