Kur kanë kaluar 24 orë nga grabitja në aeroportin e Rinasit, reagimi më i ashpër nga radhët e Partisë Socialiste ka ardhur nga deputeti i qarkut të Shkodrës Paulin Stërkaj.


Në një prononcim për mediat, Stërkaj ka përforcuar deklaratën e dhënë më parë nga ish-ministrja Ermonela Felaj, e cila tha se duhet të rishikohen kontratat me koncesionarin dhe veshi me përgjegjësi Kinezët për grabitjen e 10 milionë eurove.


Edhe Stërkaj duke mbajtur të njëjtën linjë, hodhi akuza për mënyrën se si operon kompania koncesionare nga Kina në aeroportin e vetëm të Shqipërisë. Sipas tij duket absurde që të veprosh me rregulla të forta për pasagjerët në një kohë kur nuk siguron dot hapësirën e aerodromit të Rinasit.


Tani gjithmonë këto që thyejnë ligjin janë një hap më përpara në strategjinë e tyre për të bërë grabitjen. Realisht unë nuk i çmoj si të mira masat që janë marrë pas disa rasteve që kanë ndodh në Rinas dhe në rrugën e Rinasit. Duhet të hetohen më në thellësi problemet e lëvizjes së parave. Përderisa ka një kallauz që tregon se lëvizin një shumë e madhe parash, kjo tregon se ka një person që drejton. Edhe hetimi duhet të bëhet më i thellë. Asnjë polici private nuk ka të drejtë për hyrë me armë tek avioni, pasi kalojnë në skaner. Unë i bëj thirrje koncesionarit që operon në aeroport, sa kontrollojnë çantat me kujdes sa na heqin edhe rripin nga brezi, të sigurojë territorin ku operojnë në Rinas për të mos hyrë kriminelët siç hynë dje pasi ka edhe pasoja. Unë mendoj që policia e shtetit ka për të operuar pasi i ka provat, u shpreh Sterkaj.