Djali i Edi Ramës heq dorë nga dëshira për të vijuar studimet e larta në degën e pikturës. Gregor Rama, megjithëse në një nga degët e përzgjedhura në Formularin A2, për pranimet në universitetet publike të vendit, kishte zgjedhur si preferencën e dytë për shkollën e lartë edhe atë të pikturës, ndërsa e para ka qenë skulptura, ai nuk është paraqitur në konkursin e zhvilluar gjatë javës që lamë pas në Fakultetin e Arteve të Bukura. Nuk dihen arsyet pse djali i kreut të Partisë Socialiste nuk është paraqitur në konkurs, por ajo që dihet është fakti se emri i tij figuronte në listat emërore të kandidatëve për konkurrim, të shpallura nga Universiteti i Arteve, në datën 16 gusht. Në këtë mënyrë, Gregor Rama duket se ka vendosur të mos ndjek rrugën e të atit, të paktën përsa i përket Pikturës, megjithëse kjo e fundit ka qenë një nga pasionet e tij, që e bënte edhe më të ngjashëm me babain, sikurse është edhe basketbolli. Midis 7 preferencave të tjera të Gregorit për studimet e larta janë dy gjuhë të huaja ajo angleze dhe frënge, gazetaria, gjuhë-letërsia dhe inxhinieria e telekomunikacionit. Gregor Rama është lindur më 12 gusht të vitit 1990. Ai është djali i vetëm i liderit të Partisë Socialiste nga martesa e parë me Matilda Makoçin.