Ngjarja e parë e këtij lloji ka ndodhur në një prej spitaleve më të sigurta të Athinës. 38-vjçarja me profesion ekonomiste kishte dështuar fëmijën 3 muaj më parë dhe nga frika e divorcit rrëmbeu foshnjën shqiptare, duke u gdhirë dita e djeshme




Tronditet Athina





Ngjarja e parë e këtij lloji ka ndodhur në një prej spitaleve më të sigurta të Athinës. 38-vjeçarja me profesion ekonomiste kishte dështuar fëmijën 3 muaj më parë dhe nga frika e divorcit rrëmbeu foshnjën shqiptare, duke u gdhirë dita e djeshme





Artan CENA


ATHINë – Fëmija i sapolindur i një çifti shqiptar është rrëmbyer dy ditë më parë nga një greke në zonën më të sigurt të kryeqytetit helen. Historia e pabesueshme që ndodh për herë të parë në vendin fqinj ka pasur si protagoniste një shtetase greke, me profesion ekonomiste, e cila ka rrëmbyer fëmijën e çiftit shqiptar për të mos humbur martesën. 38-vjeçarja e arrestuar tashmë nga policia kishte humbur në muajin e gjashtë fëmijën e burrin e saj të dytë, por pa e treguar një gjë të tillë, nga frika e divorcit. Pasi ka përgatitur gjithçka, 38-vjeçarja është shtruar në maternitetin “Elena”, dhe rreth orës 5:00 të mëngjesit të djeshëm ka rrëmbyer fëmijën e çiftit shqiptar dhe më pas është larguar me taksi drejt banesës së saj. Historia e çuditshme ka tronditur mbarë opinionin publik grek, ndërsa çifti shqiptar Albert dhe Bruna Shuti janë qetësuar sapo policia ka kthyer shëndoshë e mirë fëmijën e tyre, që kishte ardhur në jetë vetëm një ditë më parë. Gjatë marrjes në pyetje nga policia, 38-vjeçarja greke pranoi se kishte shkuar në spital për të marrë një fëmijë, ndërsa tashmë duhet të përballet me akuzën e rrëmbimit të një foshnje.


Policia


Policia mundi të gjejë se kush e rrëmbeu fëmijën, pasi një zonjë nga lagja “Egaleo” kishte telefonuar, duke treguar për fqinjën e saj. Rrëmbyesja kishte telefonuar në spitalin “Aleksandra” dhe kishte kërkuar një ambulancë. Ajo kishte thënë se ishte gati për të lindur dhe kur ka mbërritur në spital, ka treguar se kishte lindur në shtëpinë e saj. Krerët e spitalit ishin dyshuar dhe bashkë me ambulancën, në banesën e rrëmbyeses kishin dërguan edhe policinë. Policia ka vënë në pranga 38-vjeçaren dhe e ktheu fëmijën në maternitetin “Elena”, te nëna natyrale e tij. Me gëzim të madh e ka pritur lajmin Albert dhe Bruna Shuti, prindërit e fëmijës. “Falënderoj në veçanti policinë greke dhe popullin grek që më mbështetën në këtë moment të vështirë të jetës sime, gjithashtu falënderoj ambasadën shqiptare në Athinë e cila na ndihmoi shumë”, deklaroi babai i fëmijës. Duke folur për momentin e rrëmbimit, Alberti, babai i fëmijës, tha se ka parë një grua të veshur me pallto të zezë që është larguar nga spitali.


Ngjarja


Dhoma ku ishte emigrantja Bruna me foshnjën e saj kishte tri krevate. Bruna gjendej në krevatin e tretë te dritarja, kështu që grabitësja kaloi dy krevate që arriti tek i treti, ky fakt ishte ndihmë për policinë. Punonjësit e spitalit denoncuan se spitali nuk ka siguri. Ai ruhet 24 orë, por punonjësit nuk janë të mjaftueshëm, pasi janë vetëm dy infermiere në çdo kat. Ngjarja u regjistrua në orën 05:00 të mëngjesit të djeshëm. Sipas disa miqve të çiftit, Bruna po flinte dhe papritur u zgjua, pasi pa një hije të dalë me shpejtësi nga dhoma. Atëherë kuptoi se mungonte fëmija i saj që kishte sjellë në jetë një ditë para. Në maternitetin në fjalë, fëmijët flenë bashkë me nënat e tyre. Atëherë Bruna pyeti infermieren nëse e kishte marrë ajo fëmijën për ta ushqyer. Ajo ju përgjigj jo. Menjëherë, infermierë dhe mjekë filluan të kërkojnë foshnjën. Lajmëruan policinë dhe mbyllën portën që të mos dilte askush nga materniteti. Bëhet fjalë për një ngjarje që ndodh për herë të parë në këtë maternitet helen.





Hetimi i policisë



Rrëmbimi u planifikua tre muaj më parë



Zonja që rrëmbeu fëmijën nuk ishte e çmendur. Prej tre muajsh 38-vjeçaria ekonomiste po përgatitej të rrëmbente një fëmijë. Sipas policisë, zonja në fjalë ishte shtatzënë, mirëpo në muajin e gjashtë dështoi fëmijën. Nuk i tregoi asgjë bashkëshortit të saj, me të cilin ka një vajzë 4 vjeç, ndërsa me martesën e saj më parë kishte një djalë 10 vjeç, i cili jeton me babanë e tij. Prej tre muajsh po përgatitej të grabiste një fëmijë, pasi kishte frikë se, nëse bashkëshorti i saj mësonte që kjo dështoi, mund ta braktiste. Kështu, dje në orën 4:30 të mëngjesit, veshi një bluzë të gjerë, hyri në maternitetin “Elena” dhe u drejtua për te dhoma ku ishte fëmija. Hyri brenda, mori fëmijën, e fshehu poshtë bluzës së gjerë, doli jashtë, mori taksi dhe u drejtua për në rrugën “Dhoridhos nr. 3” në Agjio Spiridhona në Egaleo. 38-vjeçaria, mbrëmjen e së mërkurës kishte shkuar në spitalin “Elena” dhe ishte regjistruar si e shtruar aty, për të mos dyshuar njeri. Pas ngjarjes së mëngjesit, doktori që e kishte vizituar dyshoi dhe dha të dhënat e saj në polici, duke lehtësuar në maksimum punën e uniformave blu. Mjeku dyshoi nga fakti sesi një femër i thoshte që ishte shtatzënë, ndërsa ai e pa nga EKO-ja se nuk ishte e vërtetë diçka e tillë. Pas publikimit të lajmit në media, një komshi e 38-vjeçares e pa të hynte kjo në shtëpi me një fëmijë dhe informoi menjëherë policinë. Policia shkoi dhe e arrestoi menjëherë, ndërsa fëmijën e kthyen te dy prindërit emigrantë, Alberti dhe Bruna Shuti.





Ministria e Shëndetësisë


Ngjarja në maternitetin “Elena” tronditi madje dhe Ministren e Shëndetësisë së Greqisë, Mariliza Xenoyiannakoupoulou, e cila urdhëroi administratën e saj të vihej në lëvizje. Policia tani është përqendruar në rrethanat sesi ka ndodhur rrëmbimi. “Kjo është një ngjarje tepër e rëndë dhe do të hetohet thellësisht për të”, tha ministrja Xenoyiannakopoulou. Sipas saj do të vihen para drejtësisë përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të shëmtuar. “Gjithashtu do të marrim masat që nevojiten që ngjarje të tilla të kësaj natyre të mos përsëriten më”, shtoi Ministrja e Shëndetësisë.






30-vjeçarja humbi në Belgjikë



U zhduk dy vjet më parë, kërkohet në Shqipëri



TIRANë - Humbi në Belgjikë, një 30-vjeçare kërkohet në Shqipëri. Policia e Shtetit ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme, se autoritetet belge kanë kërkuar ndihmën e uniformave blu shqiptare për të gjetur 30-vjeçaren Albana Margjeka, e cila është shpallur e humbur në Belgjikë që më datë 15 janar 2008. Gjatë ditës së djeshme, Policia e Shtetit ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për të kontribuar me informacione që mund të çojnë në gjetjen e vajzës shqiptare. Margjeka, 30 vjeçe, mësohet se është zhdukur në datën 15 janar 2008, rreth orës 14:00, kur ajo ka lënë banesën e saj në Ham-Sur-Heure/Nalinnes, rruga “Bois Rombut”, në Belgjikë. Në këtë orë ajo kishte lënë banesën e saj në Belgjikë. Pas kësaj date nuk ka pasur më asnjë gjurmë të saj. Për këtë arsye, autoritetet belge kanë kërkuar ndihmën e Policisë së Shtetit për të gjetur këtë shtetase. Margjeka është rreth 1,65 metra e gjatë, me trup të dobët dhe flokë të zinj të prerë shkurt. Në momentin e zhdukjes ajo ishte veshur dukshëm me veshje sportive të zezë. Sipas të dhënave nga policia belge, Margjeka është parë të lëvizë me mjetin e saj tip “Volksvagen Golf” me targë XQM 558. Policia shqiptare ka bërë thirrje dhe ka kërkuar nga qytetarët se, nëse e keni parë këtë person ose nëse dini vendndodhjen e saj, kontaktoni me shërbimet e Policisë së Shtetit ose në numrin pa pagesë 129.