ATHINE- Organizata e armatosur "Vullneti i Popullit", e cila konsiderohet si një nga grupet më të mëdha terroriste në Greqi, paralajmëroi sot se do të godasë "elitat" politike dhe ekonomike përgjegjëse për krizën financiare kombëtare.
Në një deklaratë dërguar të përjavshmes "To Pontiki", që është publikuar sot, organizata terroriste merr përgjegjësinë e një atentati me bombë kundër zyrës së ministrit të Brendshëm Michalis Chrisochoidis, javen e kaluar. Bomba, që duhej të aktivizohej në distancë me anë të një telefoni celular, u shpërthye në mënyrë të kontrolluar nga forcat speciale duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Chrisochoidis, cilësohet nga grupi i armatosur si "gardiani i elitave politiko-ekonomike që janë përgjegjëse për krizën sistematike të kapitalizmit botëror dhe për tronditjen e Greqisë".
"Vullneti i Popullit" paralajmëroi se në të ardhmen do të përdorë "metoda lufte më efikase për të goditur jo vetëm Chrisochoidis por edhe eprorët e tij, për shkak të pabarazive dhe padrejtësive".
"Vullneti i Popullit", që konsiderohet pranë organizatës tjetër terroriste "Lufta Revolucionare" dhe është i vetmi grup aktiv grek që Shtetet e Bashkuara e kanë përfshirë në listën e organizatave terroriste. Ai u shfaq për herë të parë në vitin 2004 me një atentat me bombë kundër gjykatës në Larisa. Dhe ky ishte sulmi i parë në Greqi ku në një atentat u përdor shpërthimi i aktivizuar në distancë me një telefon celular.
Pas disa sulmesh të tjera, në vitin 2009 grupi mori përgjegjësinë e një atentati kundër një ish-këshilltari të Jorgo Papandreut që ishte përfshirë në skandalin e kompanisë Siemens.
(s.g/BalkanWeb)