Autoritetet greke thanë se kanë rënë në gjurmët e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës, pas ndalimit të një skafi luksoz me flamur italian, në jug të ishullit Kithira përballë gadishullit të Peloponezit.


Në bordin e skafit është gjetur një sasi e madhe kanabisi që vlerësohet në rreth dy tonë.


Janë arrestuar dy persona, një shtetas italian dhe një shqiptar, ndërsa skafi u sekuestrua.


Sipas komunikatës që lëshoi mbrëmjen e të premtes policia bregdetare, skafi ishte nisur nga Italia, kishte bërë një ndalesë në brigjet shqiptare ku ishte ngarkuar droga dhe pastaj kishte vazhduar lundrimin drejt Greqisë.


Policia bregdetare greke thotë se sasia e saktë e drogës do të përcaktohet pas peshimit. Pas ndalimit, skafi është rimorkiuar për në portin e Neapolit, në zonën e Lakonisë.


Aty dy të arrestuarit po merren në pyetje, por ende nuk kanë treguar se cili ishte destinacioni i drogës.


Gjithsesi, burime policore greke janë cituar nga mediat të kenë thënë se droga destinohej për ishullin kozmopolit të Mykonos.



/Oranews.tv/


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter