Zhvillimet e fundit në rajon, situata në Maqedoni dhe deklaratat mbi bashkimin e mundshëm të Shqipërisë me Kosovën, kanë rizgjuar në Athinë frikën nga makthi i Shqipërisë së madh.


Një nga gazetat kryesore greke, Idisis, i ka kushtuar ballinën e të shtunës kësaj teme, nën titullin Shqetësim i madh nga Shqipëria e Madhe.


Sipas gazetës greke, është çështje kohe shpërthimi i konfliktit ndëretnik në Maqedoni, çka në mënyrë të pashmangshme do të shpjerë në ndarjen e vendit.


Ky zhvillim, sipas analistëve grekë, shënon hapin e parë që të bëhet realitet ëndrra e ithtarëve të Shqipërisë së Madhe në Tiranë, por edhe në Prishtinë dhe në Ankara.


E përditshmja athinase citon burime diplomatike greke, por edhe europiane, sipas të cilave, krahas inicimit të Shqipërisë së Madhe, do të fillojnë përpjekjet edhe për Bullgarinë e Madhe dhe Serbinë e Madhe.


Athina nuk dëshiron as Serbinë e Madhe, as Bullgarinë e Madhe, por sidomos nuk dëshiron në lufijtë e saj veriorë një Shqipëri të Madhe, e cila do të bëjë aleancë me Turqinë dhe do të jetë një kërcënim konstant për Greqinë, nënvizon gazeta greke.


Më tej gazeta vë në dukje se Athina insiston në mosndryshimin e kufijve, duke cituar edhe një deklaratë të ditëve të fundit, të ministrit të jashtëm, Nikos Kotzias.


Kërkohet respekt i madh ndaj kufijve. Greqia është në mënyrë të qëndrueshme në favor të stabilitetit të rajonit tonë, deklaroi Kotzias, në një deklaratë që media greke e interpretoi si një mesazh për fuqitë e mëdha dhe ato forca në rajon që synojnë zhvillime të kundërta.


Sipas shtypit grek, zhvillimet e fundit në rajon dhe shqetësimet e Athinës janë diskutuar edhe në një takim midis kryeministrit Tsipras dhe kancelares gjermane, Angela Merkel. Aleksis Tsipras në ditët e ardhshme do të marrë inciativa për stabilitetin në rajon, inciativa që kanë edhe pajtimin e Berlinit, nënvizojnë mediat greke.


/Oranews.tv/


 


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter