Eros Grezda ishte i fundit që u dorëzua përballë Skocisë, duke u munduar të japë shkëndija deri sa arbitri rus vërshëlleu për herë të fundit në stadiumin Loro Boriçi. Sulmuesi i Rangers pranoi momentin negativ që po kalon Kombëtarja, ndërsa u shpreh se sot ishte kartoni i kuq, që vendosi për fatin e takimit.


Panucci mori të gjitha përgjegjësitë për humbjen. Ti dhe djemtë e tjerë, ndjeheni në faj për këtë mbrëmje?


Normalisht, pasi kur luajmë futboll, fitojmë të gjithë dhe humbim të gjithë. Morëm një gol shumë të lehtë në fillim, më pas erdhi edhe ai kartoni i kuq, por edhe penalltia, që mu duk e ekzagjeruar, pro që mbylli ndeshjen.


Katër ndeshje dhe vetëm një gol i shënuar


Është e vërtetë që nuk kemi bërë mirë ne në repartin e sulmit dhe ndoshta për shkak të ndryshimeve të shumta, nuk kemi gjetur bashkëpunimin e duhur. Mendoj se i kemi mundësitë që të bëjmë shumë më mirë se kaq.


Shkëlqeni në pjesën e parë, por jo në të dytën


U detyrova të vija më mbrapa, pasi të gjithë duhet të mbyllnim hapësirat e lëna bosh nga dalja me karton të kuq e Mërgimit. Kjo besoj se ndikoi në rënien time dhe të të gjithë skuadrës.


Krizë forme, krizë besimi apo diçka më e madhe sesa kaq. Si e cilësoni këtë moment?


Unë jam i bindur se pa kartonin e kuq, do të shikonim një Shqipëri shumë më ndryshe. Ne nuk e kemi luksin të përballemi me një lojtar më pak, me kundërshtarët, ndaj mendoj se kartoni i kuq, mbylli sfidën e sotme.


Situatën e vështirë në shtëpinë kuqezi e pranoi edhe një nga liderët e skuadrës kombëtare, Taulant Xhaka, i cili shfajësoi trajnerin Panucci dhe bëri apel që gjithsecili të marrë përgjegjësitë që i takojnë dhe të bëjë gjithçka për të ndryshuar.


Mbrëmja më e errët për kuqezinjtë?

Absolutisht. Bëmë gjithçka keq dhe morëm një humbje të tmerrshme. Nuk kam fjalë për këtë që ndodhi sonte.


Sa përgjegjës ndiheni për këtë situatë?

Edhe unë nuk kam luajtur ndeshjen time më të mirë, por të gjithë duhet të dimë se në fushë nuk luan trajneri, Gjithsecili prej nesh duhet ta analizojë thellë këtë humbje dhe të marrë përgjegjësitë që i takojnë.


E keni riparë golin e parë që pësuam?

Po, mora një pasim nga Kaçe dhe u mundova ta rikthej sërish te ai, por ma rrëmbeu kundërshtari dhe pësuam gol. Është një gabim që ndodh në futboll dhe unë nuk jam i pagabueshëm.


Si dilet nga kjo situatë?

Ne liderët e skuadrës duhet të ulemi nesër, të shikojmë me vëmendje ndeshjen, të analizojmë gabimet tona dhe të kërkojmë rrugëdalje nga kjo situatë e rëndë, duke filluar që nga ndeshja me Uellsin.


 


17 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)