shukriAsnjëherë nuk e kam menduar të divorcohem nga bashkëshorti. Ai është një njeri i mrekullueshëm, punëtor dhe korrekt. Kështu shprehet në një intervistë për Panorama bashkëshortja e kryebashkiakut të Peshkopisë, Shukri Xhelili, i cili në ditët e fundit ka përjetuar një situatë të vështirë, pas videos që qarkulloi nëpër media.


Për Tefta Xhelilin, nuk ka qenë e lehtë të përballojë gjithë këtë histori, por siç ajo shprehet, tashmë është e qartë se gjithçka që ka ndodhur është një inskenim për të goditur politikisht të shoqin dhe për ti marrë atij Bashkinë.


Natën e publikimit të videos Shukes iu drejtova me fjalët: Ngrije kokën lart. Do të më kesh në krah deri në vdekje, shprehet Tefta Xhelili.


Duke folur për Panorama,  ajo shprehet se bashkëshorti i saj po goditet nga persona me pushtet politik, ekonomik dhe ndoshta më tej, të cilët synojnë të marrin Bashkinë e Dibrës.


Pas kësaj që ndodhi, familja Xhelili do të jetë më e bashkuar, më e fortë dhe më solide. Jam e befasuar kur shoh në disa media kolegë dhe vartës të Shukriut që çfarë nuk thonë e sajojnë, ndërkohë që kur ai ishte në detyrë, i serviloseshin dhe i rrinin pas ngado, shprehet më tej ajo.


Gjatë gjithë reagimit, bashkëshortja e kryebashkiakut shprehet në krah të të shoqit. Edhe gjatë këtyre ditëve, sipas të njohurve të saj, ajo e ka demonstruar më së miri këtë mbështetje, duke pritur e përcjellë mjaft miq të familjes, të cilët i kanë qëndruar afër Shukri Xhelilit. Tefta Xhelili, nëna e dy djemve, vjehrra e dy nuseve dhe një mbese, thotë se i shoqi i ka kërkuar ndjesë me mënyrën e tij, pas publikimit të kësaj videoje.


Shukriu gjatë gjithë kohës më thoshte se e di që të kam vënë në siklet. Unë do ta mbështes tim shoq. Edhe fëmijët nuk janë ndjerë mirë, por të gjithë së bashku po i kapërcejmë këto momente të vështira, shprehet më tej Tefta Xhelili.


Ajo nuk e përmend në asnjë moment vajzën 20- vjeçare, protagoniste e videos që tashmë bëri bujë mediatike. Gjatë këtyre ditëve, ajo nuk është paraqitur në punë, ndërsa ka pritur e përcjellë ata që familja e saj i konsideron miq të vërtetë.


Znj. Xhelili, prej disa ditësh familja juaj është trazuar pas një videoje të shfaqur, ku protagonistë ishin bashkëshorti juaj dhe një vajzë 20-vjeçare. Mediat i kanë mëshuar faktit se bashkëshorti juaj ka shfrytëzuar postin e tij si kryetar bashkie në lidhje me këtë video. Cili është qëndrimi juaj?


Unë dhe familja ime jemi bërë ditët e fundit dëshmitarë të një inskenimi të turpshëm të disa njerëzve pa moral, pa integritet, pa arsye. Media të ndryshme, të shkruara dhe vizive, e kanë bërë familjen tonë tabelë qitjeje. Sulmet janë të paramenduara, të parapërgatitura, të sponsorizuara, të qëllimshme.


Pse mendoni se sulmet ndaj Shukriut janë të paramenduara dhe të sponsorizuara?


Duke goditur bashkëshortin tim, Shukriun, persona me pushtet politik, ekonomik dhe ndoshta më tej, synojnë të marrin Bashkinë e Dibrës. Ata nuk kanë për qëllim vetëm të dobësojnë familjen Xhelili, por edhe të shkallmojnë Partinë Socialiste në Dibër. Mediat që guxuan të merren me një personazh, që Dibra e njeh mirë, kanë synimet e tyre, me siguri të shpërblehen për shërbimin që u bëjnë disa politikanëve apo individëve që menaxhuan realizimin e një videoje poshtëruese.


Znj. Tefta, cili ka qenë reagimi juaj pas kësaj videoje? Si u ndjetë ju kur e patë atë?


Shukriun e kam mbështetur dhe do ta mbështes vazhdimisht, në çdo hap të jetës së tij, kudo dhe kurdo. Sigurisht që nuk u ndjeva mirë kur pashë publikimet mediatike, por kam qenë dhe jam në krah të Shukes.


Në media është aluduar se ju keni pasur herë pas here mosmarrëveshje në çift për shkaqe të ngjashme


Nuk janë të vërteta ato që thuhen rëndom. Kurrë nuk kemi pasur mosmarrëveshje e debate me njëri-tjetrin. Jemi mirëkuptuar mjaft mirë. Kështu do të ndodhë edhe në të ardhmen. Ndoshta, drejtësia do ta thotë fjalën e saj për këtë denigrim të padrejtë të bashkëshortit tim. Madje pres që balta e hedhur pas kurthit të hiqet. Jam e befasuar kur shoh në disa media kolegë dhe vartës të Shukriut, që çfarë nuk thonë e sajojnë, ndërkohë që kur ai ishte në detyrë, i serviloseshin dhe i rrinin pas ngado. Pas kësaj që ndodhi, familja Xhelili do të jetë më e bashkuar, më e fortë dhe më solide. Do të ketë shumë nga ata, që sot mbushin ekranet dhe faqet e gazetave, që do ti vijnë përsëri pas Shukriut.


Pra, nuk është e vërtetë që ju do ti drejtoheni Gjykatës për divorc, pas kësaj që ndodhi?


Asnjëherë nuk e kam menduar të divorcohem nga bashkëshorti. Ai është një njeri i mrekullueshëm, punëtor, korrekt. Natën e publikimit të videos këtë ua thashë edhe autoriteteve të Policisë e Prokurorisë. Madje, Shukes iu drejtova me fjalët: Ngrije kokën lart. Do të më kesh në krah deri në vdekje. Divorcin me Shuken as e kam menduar dhe jo më të bëhet pjesë e jetës sime. Ne jemi më të bashkuar se kurrë dhe kushdo që na njeh apo dhe ata që nuk na njohin, na e kanë zilinë.


Znj. Tefta, ata që janë prekur nga kjo histori janë edhe dy djemtë tuaj, tashmë të martuar edhe ata. Si ka qenë reagimi i tyre, a janë edhe ata në mbështetje të babait?


Normalisht as fëmijët tanë nuk janë ndjerë aq mirë, por bashkë me dy nuset e mrekullueshme poi kapërcejmë këto momente të vështira. Djemtë dhe nuset e tyre (vajzat tona) janë mbështetja që çdokush do të ishte i privilegjuar ti ketë në krah dhe me krenari ne themi: E shihni, këta janë bijtë tanë.


Ju thatë se e mbështesni bashkëshortin tuaj dhe do të jeni në krah të tij për ta përballuar së bashku këtë histori. Po vetë Shukriu si ka reaguar me ju, a ju ka kërkuar ndjesë pas publikimit të videos?


Ai më ka thënë disa herë e di që të kam vënë në siklet. Siç e thashë, do të jem në krah të tij. Unë prej ditës së parë kam menduar të prononcohem në media, por më pas jam dakordësuar me bashkëshortin që kjo të bëhej në një moment tjetër. Shukriu është bërthama e familjes dhe rreth tij vërtitemi të gjithë. Ai është forca, kuraja dhe burimi i pashtershëm i funksionimit të familjes sonë. Morali dhe edukata vijnë nga familja. Do të jem në krah të Shukri Xhelilit derisa vdekja të na ndajë.