“Guxoi të thoshte të vërtetën dhe u kryqëzua barbarisht. Pohoi haptas se Enver Hoxha nuk u zgjodh Kryetar i PKSH-së në mbledhjen themeluese dhe përfundoi në ferrin e burgjeve të komunizmit”.Ajo që ndodhi me Tuk Jakovën, njërin nga protagonistët kryesor të fillimit të lëvizjes komuniste në Shqipëri, është sa e dhimbshme aq dhe e mizore. Mita Jakova e shoqja e tij, në një rrëfim për emisionin “Histori me zhurmues”, të gazetarit Pandi Laço në TV “Klan”, zbulon për herë të parë një retrospektivë të plotë të tragjedisë që përjetoi ish komisari i Brigadës së Parë Sulmuese.
Me një kujtesë të admirueshme për moshën dhe kalvarin e vuajtjeve, bashkëshortja e Tuk Jakovës flet për rrethanat në të cilat lidhi jetën me të, kush i besoi detyrën e kreut të njësisë së parë partizane, cilat ishin marrëdhëniet e tij me Mehmet Shehun kur ndanin përgjegjësitë e komandantit dhe komisarit të Brigadës së Parë Sulmuese, si lindën konfliktet e para me Enverin dhe kush e inicionte qëndrimin sektar të liderëve komunist ndaj tij për zbutje të luftës së klasave dhe marrëdhënie kompromentuese me klerin katolik etj. Pjesa e vuajtjeve dhe dramës pas dënimit të të shoqit për tradhti të lartë ndaj atdheut, zë një vend të veçantë në tregimin e Mita Jakovës, të cilës i është dashur të mbijetojë bashkë katër fëmijët me shumë mundime dhe sakrifica të jashtëzakonshme. Gjithsesi, nga gjithë përjetimet e atij kalvari të tmerrshëm, kjo grua fisnike ka peng kushtet në të cilat i ndërroi jetë njëra nga vajzat dhe enigmën ende të pazbardhur për mënyrën si vdiq në spitalin e burgut i shoqi, në mbrëmjen e vonë të 26 gushtit 1959... 
Zonja Mita! Ju jeni bashkëshortja e Tuk Jakovës dhe jeni lidhur me të qysh në vitet e luftës. Si e kujtoni momentin e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare?
Me Tuk Jakovën jam njohur në ceremoninë e krijimit të Brigadës së Parë Sulmuese, që u zhvillua më 15 gusht 1943. Atje e pashë Tukun për herë të parë, që foli si Komisar i Brigadës. Unë isha një e re komuniste që isha lidhur me lëvizjen antifashiste qysh në vitin 1942 dhe punoja brenda në qytet. Ne ishim 15 shoqe, kryesisht të reja që ishim inkuadruar në një çetë. Komandante e çetës tonë ishte Kleopatra Mulliqi, një grua përparimtare që kishte përqafuar lëvizjen që në fillimet e veta. Pasi mbaroi ceremonia e inaugurimit të Brigadës, Tuku me cilësinë e komisarit të saj, na thirri ne vajzave dhe na vuri në dijeni se brigada do të fillonte të lëvizte në të gjithë Shqipërinë. Aty për aty na porositi për të lajmëruar familjet dhe na sistemoi në çadrën e shtabit të brigadës. Sakaq ne lajmëruam familjet dhe morëm teshat e u sistemuam në çadrës e shtabit. Ky ishte si të thuash takimi i parë me Tukun. Gjatë ditëve në vijim na lidhi puna dhe komunikuam disa herë. Pata rastin të flisja nga afër me të, ta njihja konkretisht dhe pa e kuptuar përfundova në lidhjen e ngushtë. Në maj të vitit 44 bëmë fejesën.
Çfarë cilësish kishte Tuk Jakova, që u caktua komisar i Brigadës së Parë?
Tuku ishte një nga të rinjtë e njohur në jetën ilegale të qytetit të Shkodrës. Emri i tij ishte bërë i dëgjuar sidomos për mjaft aksione të guximshme ndaj okupatorit. Në Shkodrën e asaj periudhe flitej sidomos për një rast ku Tuku me Sadik Bekteshin kishin mundur të çanin një rrethim të rrezikshëm, në kohën kur shumëkush i dinte të asgjësuar. Përmbledhtazi do të thosha se jeta ilegale e kishte bërë të njohur emrin e tij edhe përtej qytetit të Shkodrës. Pikërisht gjatë aktivitetit në radhët e lëvizjes ilegale, Tuku u dallua për trimëri dhe guxim. Ai kishte një inteligjencë natyrale shumë të zhvilluar. Përsa i përket shkollimit, kishte bërë arsimin 9-vjeçar, si mund t’i themi sot. E vërteta është se përtej dëshirës së madhe të tij për dije, nuk pati mundësi për t’u arsimuar për arsye ekonomike. Nga familja e tyre u shkolluan tre vëllezërit e tjerë...
Tuku ishte një nga figurat qendrore të PKSH, pse nuk shkoi për t’u shkolluar në Bashkimin Sovjetik si pjesa tjetër e liderëve komunist të asaj periudhe?
Tukut asnjëherë nuk ia ofruan shkollimin në BS pas çlirimit, në kohën kur shumëkush nga kolegët e tij shkuan aty disa herë. Pikërisht këtë e kemi pasur merak familjarisht. Një ditë i kam thënë Enverit, kur ishte në shtëpinë tonë. “Si është e mundur që Tuku ende nuk po shkon si gjithë të tjerët për t’u shkolluar në BS”. Ai qeshi, më vuri dorën në supe dhe mu kthye si me qesëndi: “Në qoftëse të tjerët kanë bërë shkolla të ndryshme, Tuku ka shkollën e jetës, ka akademinë e përvojës”
Tuku drejtoi Brigadën e Parë Sulmuese me një figurë tjetër historike, siç ishte Mehmet Shehu. Cilat ishin marrëdhëniet me të?
E vërteta është se ata kishin shumë gjëra të përbashkëta. Të dy dalloheshin për trimëri dhe aftësi organizuese. Të dy kishin simpatinë dhe mbështetjen e tërë partizanëve të Brigadës. Ndërkaq kishin dhe dallime midis tyre. Mehmeti p.sh ishte tip shumë i ashpër, shumë impulsiv. Tuku ishte i butë prej natyre. Ishte i qetë dhe i shtruar. Mbi të gjitha ishte shumë tolerant. Ka qenë një rast p.sh gjatë luftimeve në Pogradec, ku u zu një masë e konsiderueshme me ballist të cilët mbetën robër në duart e partizanëve. Pikërisht në momentin kur pritej pushkatimi, Tuku urdhëroi lirimin e tyre! Po kështu Tuku ishte një njeri që kishte shumë influencë në popull dhe njerëzit flisnin para tij me zemër në dorë. Veçanërisht pjesa katolike, nga e cila ishte e vetmja figurë përfaqësuese në ato nivele, e respektonte shumë dhe i besonte për çdo gjë. Tuku kishte marrëdhënie shumë të mira me klerin katolik dhe siguronte bashkëpunim të frytshëm me të në të gjitha situatat. Pikërisht për këto marrëdhënie shpirtërore është kritikuar rëndë më vonë. Ndodhi në një rast që takoi një prift katolik në Tiranë ,që ishte në gjendje shumë të keqe ekonomike. I dha një mijë lekë për ta ndihmuar, së paku për të shkuar në shtëpinë e tij në Shkodër. Qëlloi që këtë ja tha Enverit. Enverit me sa dukej nuk i pëlqeu, po siç e kishte zakon nuk bëri gjë ballasi. Sidoqoftë nuk mund t’ia falte, e rezervoi me atë mënyrën e tij djallëzore dhe një ditë e penalizoi rëndë. E vërteta është se Tukun, kuptohet me porosinë e Enverit, kolegët e goditën jo vetëm për simpatinë për klerin katolik por edhe për mbështetje materiale ndaj tij.
Këtu fillojnë kritikat e para ndaj tij, apo jo?
Tuku për herë të parë është kritikuar në plenumin e shkurtit të vitit ’51, si zbutës i luftës së klasave. Kjo vinte nga vet natyra e tij. Ai takohej me të gjithë. I priste të gjithë që i vinin në zyrë. Dëgjonte hallet e tyre dhe mundohej tua zgjidhte. Ishte i hapur me çdo njeri, pavarësisht profileve politike të tyre dhe ndasive fetare. Po le të qëndrojmë te kritika e parë që iu bë në atë plenum, për zbutje të luftës së klasave. Kjo kishte zënë vend qysh në raportin e mbajtur në fillim të plenumit. I vetmi që u çua për të folur pas prezantimit të kësaj kritike ishte Mehmet Shehu. Pas një heshtje të gjatë, ai u çua duke ju drejtuar sallës: Çfarë keni që nuk flisni për Tukun. Për trimërinë e tij unë vë duart në zjarr. Po Tuku është trim vetëm kur e ka armikun përballë! Me një fjalë krijoi mendimin se Tuku toleron nga pozita jo të shëndosha. Gjatë kësaj kohe, Tuku ishte deputet në Shkodër. Sipas rregullit bënte takime të shpeshta me zgjedhësit. I dëgjonte me vëmendje hallet e tyre. Ishte një periudhë që kishte shumë ankesa për papunësinë. Ja ngiten këtë shqetësim në takime të ndryshe. Ai u angazhua me mish e me shpirt për të vënë në lëvizje strukturat e shtetit për t’i dhënë zgjidhje këtij shqetësimi, pa pasur parasysh biografitë e njerëzve që kërkonin punë. I shkoi një ditë në zyrë mbesa e Patër Andon Arapit. Ajo pasi i sqaroi pozicionin politik të familjes, i tha se së paku i duhej një vend pune i rëndomtë sa për të përballuar varfërinë familjare. Tuku pa marrë parasysh se nga cila familje vinte kjo vajzë, ndërhyri dhe e sistemoi me punë në rrobaqepësinë e qytetit. Aty kishin filluar punë po me ndërhyrjen e tij dhe 15 vajza të tjera që kishin një status politik të kontesueshëm për kohën. Mirëpo ndodhi që ende pa kaluar shumë kohë, të gjitha këto vajza bashkë me mbesën e Pater Andon Arapit i hoqën nga puna. Vigjilenca e njerëzve të Partisë me sa duket e kishte bërë të veten. Kur Tuku e mori vesh, u indinjua shumë. Takoi menjëherë Enverin dhe i tha se ka ndodhur një ngjarje që ka tronditur krejt Shkodrën. Po a mund të ndërhynte Enveri që e ideonte vet këtë marrëzi?!
Cilat ishin detyrat me të cilat u ngarkua Tuk Jakova pas çlirimit?
Për një periudhë, pas çlirimit u caktua president i sindikatave   dhe prej andej, aty nga fundi i vitit 1946, e dërguan si të ngarkuar me punë në Federatën Jugosllave. Ky, si të thuash ishte një largim nga qendra, nga Tirana. U kthye nga Beogradi në vitin 1948, në kohën kur u zhvillua Kongresi i parë i Partisë. Në atë Kongres, ai u zgjodh në një post shumë të rëndësishëm, siç ishte ai i Sekretarit të KQ të Partisë për kuadrin...
Cilat kanë qenë pakënaqësitë e para të Tukut për mënyrën si kishte nisur drejtimi dhe zhvillimi i Shqipërisë?
Pakënaqësitë kanë qenë të ndryshme. Kanë qenë pakënaqësitë politike, kanë qenë pakënaqësitë ekonomike, kanë qenë pakënaqësitë në lidhje me luftën e klasave, në lidhje me klerin, në lidhje me shkrimin e historisë së partisë etj. Mbaj mend kritikën e parë për faktin që ishte kundër ngritjes së industrisë së rëndë. Ishte vërtetë një rrethanë interesante. Tuku në kohën që bënte detyrën e zëvendëskryeministrit bëri disa vizita rresht në vendet e demokracive popullore, të destinuara këto në fushën e ekonomisë. I befasuar nga zhvillimet e tyre, ai pyeste jo pa habi, se çfarë kishin më tepër ato vende që ishin më të përparuara nga vendi ynë. I qëlloi që gjatë një delegacioni në Çeki kishte parë mjaft qendra të industrisë së lehtë dhe ushqimore, të cilat po i zëvendësonin teknologjitë ekzistuese me teknologji të reja. Këtu i lindi ideja që për konditat tona, e kishim shumë të nevojshme t’i merrnim e t’i instalonim ato në Shqipëri. Sa mbërriti në Tiranë e propozoi në qeveri. Njëherazi me këtë rekomandim, Tuku kundërshtoi projektin për të ngritur industrinë e rëndë. Kur nuk kemi këllqe, pse duhet t’i futemi një aventure të tillë, këmbënguli ai duke ofruar zgjerimin e industrisë së lehtë dhe sidomos asaj ushqimore.
Pastaj erdhi goditja në Plenumin e prillit 1955, ku do të diskutohej për të shkruar për herë të parë historinë e Partisë. Para se të flasë për atë që ndodhi në atë plenum, desha të kujtoj diçka para punimeve të tij. Unë në atë kohë isha me shkollë të mesme dhe kisha dëshirë të vazhdoja shkollën e lartë. Pavarësisht se isha nënë me katër fëmijë, mendoja se i kisha mundësitë e shkollimit. Teksa këmbëngula për këtë në rrugë zyrtare, më caktuan të vazhdoja shkollën e partisë. Aty bënim leksione ku ndër të tjera ato për themelimin e partisë ishin ndër më të preferuarat. Po si trajtohej në leksione kjo çështje? Përmendej data e 8 nëntorit 41 dhe fund e krye çdo gjë i dedikohej Enver Hoxhës. Sipas tyre, akti i themelimit ishte vepër e tij. Themeluesi ishte Enveri. Po ai dhe Sekretar i Përgjithshëm që nga 8 nëntori 41, etj. Një mbrëmje teksa bisedoja me Tukun i thashë për këtë mënyrë si trajtohej në shkollë akti i themelimit të partisë. Ai u indinjua dhe aty për aty ma ktheu. “Nuk duhet lidhur çdo meritë e partisë me emrin e Enverit” “Nuk është kështu e vërteta” Pastaj Tuku më shpjegoi me qetësi si e kujtonte ai këtë akt historik. Në mbledhjen për themelimin e partisë ishte zgjedhur një komitet provizor prej shtatë vetash. Pra, nga ajo mbledhje nuk ishte caktuar asnjë udhëheqës i vetëm. Enveri u zgjodh kujdestar për financat. Tuku, Kristo Themelkua dhe Koci Xoxja u caktuan të merreshin me formimin e celulave në qytete të ndryshme. Qemal Stafa u caktua të merrej me rininë. Gjin Marku me ushtrinë. Rrahman Perllaku me lëvizjen. Kështu që mbledhja nuk doli me një person udhëheqës por me një organ kolegjial provizor.
Pikërisht këtë ngriti Tuku në mbledhjen e Plenumit të prillit 55. Për gjithçka foli aty i referohej kujtesës si dëshmitarë okular i ngjarjes historike. Mirëpo kjo ishte goditëse për Enver Hoxhën. Deri në atë periudhë, ai nuk kishte qëlluar të debatonte me njerëz që shfaqnin pikëpamje në kundërshtim me ato të tijat. Tuku foli hapur duke shpjeguar se Enveri në mbledhjen themeluese nuk u zgjodh as kryetar dhe as sekretar i përgjithshëm i partisë. E vërteta është, tha Tuku, se që nga krijimi i partisë dhe deri në vitin 1942 partia drejtohej nga komiteti provizor. Në prill të vitit ‘42 u caktuan detyra të tjera dhe aty për herë të parë u hodh ideja e krijimit të çetave partizane. Ndërkaq, në mars të vitit ‘43 në Labinot të Elbasanit u bë Konferenca e Parë e Vendit, ku Enver Hoxha u zgjodh për herë të parë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë, i propozuar drejtpërdrejt nga Miladin Popoviçi, i cili kishte dhënë një ndihmë shumë të madhe për shkrirjen e grupeve komuniste dhe krijimin e partisë. Për të gjithë protagonistët kryesor të aktit të themelimit të partisë ishte e njohur marrëdhënia e ngushtë e Enverit me Miladinin. Ata kudo i shikoje bashkë. Në qytet, në fshat, në mbledhje të ndryshme. Madje ndanin të dy gati të njëjtin qëndrim për çështjet që dilnin. Padyshim që ky reagim i Tukut për të thënë të vërtetën nuk mund të kalonte pa kosto. Po nuk ishte vetëm kjo përplasja e parë.
Vijon nesër...

Kush ishte Tuk Jakova

Tuk Jakova, i lindur në qytetin e Shkodrës në vitin 1914, ishte një nga pjesëtarët kryesor të grupeve komuniste të qytetit të tij. Ai bashkë me Qemal Stafën, Zef Malajn dhe Vasil Shanton morën pjesë në themelimin e Partisë më 8 nëntor 41. Aty u zgjodh një nga shtatë anëtarët e Komitetit Qendror provizor. Gjatë luftës Nacionalçlirimtare u caktua komisari Brigadës së parë Sulmuese, i Divizionit të Parë dhe i Kopramatës së tretë. Pas çlirimit u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe KQ të Partisë, deputet, zëvendëskryeministër, gjeneral, Kryetar i Kuvendit Popullor. Nga viti 1946, deri në vitin 1950, ishte një nga njerëzit më me pozitë të kohës. Për qëndrimin dhe pikëpamjet e tij në vitin 1951, Tuk Jakova u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike, ndërsa në vitin 1955 u përjashtua nga posti i anëtarit të KQ dhe u la për tu diskutuar qëndrimi si anëtar i partisë. Në nëntor të po këtij viti, bashkë me familjen e internuan në Berat ku vetëm pas dy muajsh, në vitin 1957, e izoluan në kalanë e Kaninës. Në vitin 1958 akuzohet për tradhti të lartë ndaj atdheut, për agjitacion e propagandë dhe në bashkim të akuzave dënohet me 20 vjet heqje lirie. Vdes në vitin 1959 në rrethana që mbeten ende të dyshimta.