Gruaja e veshur me të bardha dhe shapkat e kaltërta që përkëdhel fëmijën në tryezën e ngrohtë të familjes është një vepër e Hilmi Banit. E realizuar më 1981-shin kjo është vetëm një nga disa tablo të artistit që ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve.


Më tej telajot sjellin imazhe të patriotëve shqiptarë apo natyrës realizuar me shumë ndjenjë. Hilmi Bani bën pjesë në grupin e artistëve vlonjatë krahas Skënder Kamberit, Nestor Jonusit, Agron Dines, Petrit Cenos dhe Rakip Shabanit që u quajtën nga shtypi kohës (i viteve 1970-1980) Shkolla e Vlorës. Krijimtaria e tij është pjesë e historisë së artit pamor shqiptar.


Piktori Hilmi Bani lindi në Vlorë në familjen e Rexhep Banit, një antifashist i njohur i cili pasi u arrestua nga nazistët u internua dhe u nda nga jeta nga turturat çnjerëzore në Austri në kampin e përqëndrimit në Mauthauzenit. Piktori Bani kreu studimet për pikturë në LA.


Jordan Misja , Tiranë (1962) dhe më tej ILA, Tiranë (1967). Diploma e tij i kushtohej luftës së Vlorës (1920) dhe figurës së Selam Musait. Pas studimeve piktori Bani ishte për disa vjet mësues vizatimi dhe më tej pedagog në shkollën e mesme artistike Naim Frashëri, Vlorë (1983-1998). Nga viti 1998 – 2000 ai ishte drejtor në këtë institucion.


Hilmi Bani ka qënë për disa vjet kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Vlorë dhe vitet e fundit anëtar i Përhershëm i Komisionit Ndërkombëtar të Mathauzenit (Austri). Një koleksion të rëndësishëm prej pesë tablosh ruhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë, vepra të tij ndodhen në Galerinë e Arteve, Vlorë dhe institucione të tjera publike. Gjithashtu veprat e artistit janë pjesë e koleksionistëve të qytetit të Vlorës dhe më gjerë.


Artisti Bani ka qënë pjesmarrës në të gjitha ekspozitat & konkurset lokale dhe ato kombëtare të organizuara nga Ministria e Kulturës dhe LSHA të Shqipërisë. Kryesisht krijimtaria e artistit ka patur si objektiv pasqyrimin e ngjarjeve të historisë së popullit shqiptar, luftrave të tij për liri në shekuj dhe kryesisht ato të luftës antifashiste nacional çlirimtare. Gjithashtu piktori Bani ka realizuar edhe tablo kompozicionale me temën sociale të ngjarjeve të jetës së përditëshme, peizazhe, portrete të ndryshme.


Ai ka qënë aktiv dhe vazhdonte pikturonte duke qënë pjesë e grupimeve të artistëve në ekspozitat që ata hapnin si pjesë e kolonive të artit. Kështu së fundi ai ishte pjesëmarrës në ekspozitën e çelur në Galerinë e Arteve Eduard Lir Berat me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë si dhe në ekspozitën e çelur në klubin Labëria ku ekspozoi tre punime (gusht 2014). Në GKA, Tiranë artisti ka të ruajtura 5 vepra nga krijimtaria e tij e viteve 1970 1981.


Prej tyre katër janë komppozime me temë historike, nga lufta dhe nga jeta shqiptare. Veprat e artistit Hilmi Bani që ruhen në GKA, fillojnë me një peizazh nga zona e bregdetit të Vlorës Kodrat e Jonufrit (1970) dhe tablotë kompozicionale: Rreth Partisë (1971, me bashkautor Nestor Jonusi e Skënder Milori), Revolta fshatare (1976), Shpatën të mprehtë e mbajmë (1978) dhe Në familje(1981).


Në këto punime dhe në koleksionin e veprave të krijuara nga autori në rreth 50 vjet krijimtari spikat talenti, koloriti i tij i veçantë i kryesisht i tonuar me ngjyra të ngrohta, i krijuar me mjaft kulturë. Në në tablotë tjera të artistit spikat drita e fuqishme, kalimet harmonike koloristike dhe natyrshmëeia e vendosjes së personazheve.


3 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)