Asnjë ministër shqiptar nuk ka qenë pjesë e udhtimit të kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevskit.


Ky i fundit së bashku me ministrin e punëve të jashtme Nikolla Poposki dhe një sërë funksionarësh të tjerë edhe kësaj radhe ka anashkaluar funksionarët dhe ministrat shqiptarë që i ka në kabinet.


Udhëtimi i Gruevskit në SHBA ka disa qëllime dhe agjenda e tij është mjaft e ngjeshur. Ai do të flasë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar disa “road show” për të kërkuar investitorë si dhe po takohet me diasporën maqedonase.


Fatkeqësia dhe mjerimi qëndron në faktin se Gruevski edhe kësaj radhe ngjashëm si në të gjitha rastet e deritanishme nuk ka marrë asnjë ministër ose funksionar të lartë shqiptar, raporton Zhurnal.


I vetmi në këtë “road show” është drejtori i Agjencisë për investime të huaja Visar Fida, i cili duke pasur parasysh se të gjitha kompetencat për investime ia ka marrë ish drejtori Viktor Mizo, është vetëm një figurë statike në këtë udhëtim.


Shqiptarët mbetën jetimë gjatë takimeve të shumta në SHBA, ku merrnin pjesë politikanët e shumtë shqiptarë qofshin nga Kosova ose Shqipëria.


Ish presidenti amerikan Bill Clinton takoi njëkohësisht dy kryeministrat shqiptarë, atë të Kosovës dhe të Shqipërisë, presidentin Bujar Nishani, por askund nuk u pa asnjë politikan shqiptarë nga Maqedonia. /Indeksonline/