Është prezantuar zyrtarisht nisja e Lotarisë Kombëtare, pjesë e grupit Austrian Lotteries. Ambasadori austriak Florian Rauning, çeli ceremoninë duke shprehur kënaqësinë për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe vendit të tij.



Qëllimi kryesor i Lotarisë Kombëtare është të zhvillojë lojërat në mënyrë sa më transparente, të sigurtë, me besueshmëri për publikun dhe nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Financave.




“Lotaria Kombëtare bën pjesë 100% në grupin e Austrian Lotteries. Vlerat, parimet dhe faktorët e e suksesit të Austrian Lotteries, të realizuara dhe zbatuara në 26 vite eksperiencë, do të jenë gjithashtu parime bazë edhe të Lotarisë Kombëtare. Këto janë: Integriteti, Siguria, Përgjegjshmëria dhe Partneriteti. Lotaria Kombëtare do t’i zbatojë këto parime bazë në të mirë të Shqipërisë dhe popullit shqiptar gjatë 10 viteve që përfshin licensa. Për Lotarinë KOmbëtare, respektimi i ligjeve dhe rregulloreve, orientimeve dhe standardeve është pjesë thelbësore e proceseve të aktivitetit të punës”, u shpreh Drejtori Ekzekutiv i Lotarisë Kombëtare, Peter Simoner.




Përfaqësuesja e kompanisë mëmë, tha se qendrueshmëria ekonomike në Shqipëri, ishin shtysa kryesore se përse Austrian Lotteries u bë pjesë e tregut shqiptar.




Në emër të qeverisë shqiptare, zëvendësministri i Financave, shprehu besimin se Austrian Lotteries, do të tregojë seriozitet dhe përgjegjshmëri.



Loja e parë që do të prezantohet është 6 nga 39, ku kombinohen çmime të ndryshme, ku kryesori është ai prej 10 milionë lekësh të reja.



Çmimi i një bilete është 100 lekë. Ndërkaq, profili i produkteve të Lotarisë Kombëtare është planifikuar të zgjerohet gjatë këtij viti, duke sjellë risi dhe duke prezantuar dy lloje kartash gërvishtëse.