SHBA
Guvernatori karizmatik i Nju Xhersit, Kris Kristi (Chris Christie), i përfolur edhe si një kandidat i mundshëm për president në emër të republikanëve në vitin 2016, u përfshi në një skandal ditët e fundit, kur u zbuluan disa email-e komprometuese të stafit të tij.
Një këshilltare e tij ka kërkuar pranë autoritetit menaxhues të rrugëve të shtetit, të mbyllë disa rrugë për riparime, me synimin që të sabotohej një kryebashkiak demokrat që nuk e pati mbështetur guvernatorin në zgjedhjet e vjeshtës së kaluar.
Më 9 shtator 2013, dy nga tre korsitë e urës George Washington, e cila lidh Nju Xhersin me Manhatanin, u mbyllën për disa ditë. Por së fundmi, disa shkëmbime email-esh dolën në dritë duke zbuluar shkaqet e kësaj mbylljeje. Trafiku u bë kaos në lagjen Fort Li të Nju Xhersit, ku qeveriste kryebashkiaku demokrat që pati refuzuar të mbështesë guvernatorin.
Koha për disa probleme trafiku në Fort Li, tregohet se ka shkruar një këshilltare e guvernatorit në një email për Dejvit Uajlldstein (David Wildstein), njeriun përgjegjës për menaxhimin e urës. E kuptova, u përgjigj ky i fundit. Uajlldstein dha dorëheqjen pas publikimit dhe pritet të dalë në gjyq. Guvernatori pushoi nga puna këshilltaren e përfshirë në shkëmbimin e email-eve dhe deklaroi se nuk kishte dijeni për ngjarjen.
Ky shkrim Guvernatori i Nju Xhersit akuzohet për sabotazh u publikua me pare te Gazeta SHQIP.