Këshilltarja e kryeministrit, Suzana Guxholli e konsideron si fenomen skandalin e publikuar pak ditë më parë përmes një videoje të ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango dhe një vajze, e cila aplikonte në ministri për punë. Duke folur në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, këshilltarja e kreut të qeverisë, theksoi se si fenomen negativ ai do të shpërthente një ditë. “Imazhi i femrës shqiptare nuk është një imazh i ngritur apo i prishur nga një individ apo nga një ngjarje e rastit. Në çdo shoqëri ka fenomene negative, të cilat herë pas here shpërthejnë”, theksoi Guxholli. Por sipas saj, “pikërisht momenti i shpërthimit të fenomeneve negative e bën shoqërinë të mendojë dhe për një reagim më ligjor dhe më formal ndaj këtyre fenomeneve. Kontributi dhe arritjet e femrës shqiptare apo të femrës në mbarë botën asnjëherë nuk janë pre e këtyre fenomeneve të rastit”. Pas shkarkimit të ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango ky është reagimi i parë i një zyrtari të lartë të institucionit të kryeministrit, që flet lidhur me këtë çështje. Ndërkohë dje, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve i ka dërguar një mesazh Kuvendit të Shqipërisë, bazuar mbi skandalin me ish-ministrin Ylli Pango. ZMQ i ka bërë një apel Parlamentit të ndëshkojë zyrtarët e korruptuar, të cilët kërkojnë ryshfet seksual. “Ne kemi nevojë për një ligj, që të bëhet e qartë se ngacmimi seksual është krim dhe personat përgjegjës do të marrin ndëshkim shembullor”, thuhet në këtë mesazh.