Nga Genc Kondi
Këshilltarja e kryeministrit, Suzana Guxholli, në një intervistë për nje agjenci lajmesh pohon se "tashmë Shqipëria hyn në një fazë të re bashkëpunimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar, për faktin se kemi dalë nga statusi i vendeve të varfra 

TIRANE-Qeveria shqiptare duhet të vazhdojë bashkëpunimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar edhe pas përfundimit të marrëveshjes së 4 PRGF-EFF. Por, në një rast të tillë, kjo do të ishte një marrëdhënie në një mënyrë të re, pa objektiva e parametra. Këshilltarja e kryeministrit, Suzana Guxholli, në një intervistë për ATSH-në tha dje se "tashmë Shqipëria hyn në një fazë të re bashkëpunimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar, për faktin se kemi dalë nga statusi i vendeve të varfra dhe, në këtë mënyrë, do të hartohet edhe një marrëveshje e re, e cila do të ketë më pak objektiva të vendosura nga ky institucion". Kjo intervistë është e dyta, në pak ditë, e një këshilltari të kryeministrit, pas asaj të Petraq Milos, lidhur me marrëdhëniet dypalëshe. Duket se trajtimi në media i së ardhmes së marrëdhënieve të qeverisë shqiptare me FMN-në, pas vendimit të Berishës për të mos rinovuar marrëveshjen me të, është bërë një çështje delikate, për të cilën kryeministri u ka kërkuar bashkëpunëtorëve më të ngushtë që të zbutin situatën.
Por në fakt, ajo që mbetet, është fakti që Ekzekutivi, ndryshe nga opozita, është i vendosur të ndërpresë marrëdhëniet aktuale me Fondin, por është i shqetësuar nga pasojat politike ndërkombëtare të një veprimi të tillë, aspak diplomatik. Guxholli, edhe pse vlerësoi bashkëpunimin e qeverisë shqiptare me FMN-në gjatë këtyre viteve "si të rëndësishme" në rrugën drejt zhvillimit, theksoi në të njëjtën kohë se" marrëveshja e re, e cila do të hartohet nga Ministra e Financave në bashkëpunim me FMN-në, do të konsistojë në këshillimin për projekte të veçanta". "Qeveria shqiptare do të mund t'i drejtohet FMN-së, sa herë ajo të ketë nevojë për projekte të veçanta, por nuk do të ketë një mbikëqyrje të përhershme, ashtu siç ishte në marrëveshjen, e cila përfundon në fund të këtij viti", - deklaroi Guxholli. Sipas saj, ekonomia shqiptare tashmë është e stabilizuar dhe e konsoliduar plotësisht dhe asistenca e FMN-së do të jetë e herëpashershme, por në një mënyrë të re, pa objektiva e parametra. Deri tani, misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Tiranë ka qenë jo thjesht konsultativ. Kështu p.sh, FMN ka bllokuar premtimin e Berishës për të ulur TVSH-në në një nivel tjetër, nga 20-përqindëshi aktual. Po kështu, edhe këto ditë, ai ka tërhequr vëmendjen për disekuilibra me pasoja në hartimin e Projektbuxhetit 2009. Qeveria duket se është e vendosur të "mos e mbajë nëpër këmbë" më këtë mision "kritizer", duke parashikuar për të një rol thjesht konsulence, edhe këtë, për projekte të shkëputura.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)