ISHP: Sivjet 87 raste të reja dhe nëntë të ndarë nga jeta, ndërsa vjet u regjistruan 11 viktima


sidaNumri i të prekurve nga Sida në vendin tonë arrin në 862 në të gjithë vendin, 87 prej të cilëve janë raste të reja, të regjistruara vetëm në vitin 2015. Referuar të dhënave zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik, numri i të prekurve nga ky virus vdekjeprurës, në vitin 2014, ishte 775 në nivel kombëtar, prej të cilëve 75 ishin raste të reja, çka tregon se numri i të infektuarve nga Sida ka ardhur duke u rritur. Por, ajo që vlen të theksohet, është se ndryshe nga viti i mëparshëm, sivjet regjistrohen më pak viktima. Pra, nëse në vitin 2014 u ndanë nga jeta 11 persona të prekur nga HIV/AIDS, në 2015-n numri i viktimave arrin në nëntë persona. Njësoj si vitet e tjera, edhe këtë vit, në ditën botërore të luftës kundër AIDS, specialistët e ISHP-së theksojnë se Shqipëria vijon të mbetet një vend me prevalencë të ulët të infeksionit HIV, që përllogaritet në masën 0.03%. Megjithatë, ata ngrenë shqetësimin se problem mbetet numri i ulët i personave që testohen me vullnetin e tyre të lirë, çka sjellë diagnostikimin e vonshëm të prekjes nga virusi që reflektohet në afër 50 për qind të rasteve të diagnostikuara gjatë vitit 2015. Mësohet se prej tyre 6 persona kanë ndërruar jetë brenda një viti nga momenti i zbulimit se janë të infektuar nga virusi vdekjeprurës HIV/AIDS. Sipas mjekëve specialistë, kur sëmundja është kapur në fazën fundore nuk ka asnjë mundësi trajtimi me medikamente, për më tepër ekziston rreziku që një pjesë e këtyre pacientëve mund të kenë qenë të infektuar prej vitesh pa shfaqur simptoma dhe pa dashje të kenë infektuar edhe partnerët e tyre gjatë një periudhe kohe relativisht të gjatë.


Raporti i ISHP-së


Raporti i Institutit të Shëndetit Publik dëshmon se rruga seksuale e transmetimit të virusit HIV vazhdon të predominojë në vendin tonë, e cila konstatohet në 94% të rasteve, nga të cilët 11.6% e të prekurve me HIV/AIDS përmes rrugës homoseksuale dhe biseksuale, ndërsa 82.3 për qind e transmetimit përmes rrugës heteroseksuale dhe vetëm në 3.6% të rasteve sëmundja është transmetuar nga nëna te fëmija. Në 1.4% të rasteve përhapja e virusit ka ardhur nëpërmjet transfuzioneve të gjakut ose nënprodukteve të tij të infektuara dhe vetëm 0.6% e rasteve i përkasin grupit të përdoruesve të drogave me injektim. Krahasuar me periudhën 19932004, dhjetëvjeçari i fundit ka shënuar rritje të numrit të të prekurve nga HIV/AIDS, sidomos në zona të mëdha urbane, si Shkodra, Elbasani, Vlora, por edhe në Delvinë, Sarandë, Mirditë, sqarojnë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. Sipas tyre, në harkun kohor të 22 viteve nga diagnostikimi i rastit të parë me HIV në vitin 1993, në Shqipëri janë regjistruar 870 raste të raportuara me HIV/AIDS, për shkak të të cilit 161 pacientë kanë ndërruar jetë dhe ku 13 viktima janë regjistruar vetëm në vitin 2006.


Thirrja e specialistëve


Në ditën botërore kundër HIV/AIDS, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik bëjnë thirrje për diagnostikim të hershëm dhe të mos diskriminohen individët e prekur nga kjo sëmundje. Shumë persona që jetojnë me HIV, në muajt e parë pas infektimit, nuk kanë shenja të dukshme dhe nuk janë në dijeni të gjendjes së tyre deri në fazat e vonshme. Për tu zhvilluar shenjat, përgjithësisht mund të kalojnë dy deri në 15 vjet nga momenti i infektimit deri në shfaqjen e tyre, tregojnë mjekët. Sipas ISHP-së, HIV mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të infektuara të trupit si: gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale. Teste të ndryshme janë sot në dispozicion për të zbuluar praninë ose mungesën e antitrupave të HIV. Infeksioni HIV zakonisht evidentohet nëpërmjet testeve të gjakut, të cilat zbulojnë antitrupat e prodhuara nga një person, thuhet në njoftimin zyrtar të Institutit të Shëndetit Publik. Dita botërore e sensibilizimit kundër HIV/AIDS organizohet çdo vit më 1 Dhjetor për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të demonstruar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e kësaj pandemie.


 


Studimi


 


“Google”: Shqiptarët, të parët


për kërkime mbi HIV/AIDS


 


Në muajin maj të këtij viti, Google bëri publik një studim të realizuar gjatë vitit 2014-2015, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Europë, për sa u takon sajteve apo informacioneve ku regjistrohen më shumë klikime. Sipas kësaj analize, të mundësuar nga aplikacioni Google search, është arritur në konkluzionin se faqet më shumë të klikuara janë ato që informojnë mbi sëmundjet seksualisht të transmetueshme, nga ku kanë dalë rezultate vërtet interesante. Sipas këtij studimi, shqiptarët janë populli që kërkon më shumë në Google informacione rreth sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Në Shqipëri më shumë se në çdo vend tjetër kërkohen informacione rreth virusit vdekjeprurës HIV/AIDS. Herpesi është sëmundja që shqetëson më së shumti vendet nordike si Norvegjia dhe Finlanda, ndërsa në Misisipi në SHBA kërkojnë informacione për sëmundjet si: gonorreja dhe sifilizi, sqaron “Google” në studimin e kryer në një hark kohor prej një viti.


Ky shkrim HIV/AIDS – Rritet numri i të prekurve, ulet numri i vdekjeve u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.