Pavarësisht se Gjykata e Katanias mbylli hetimet për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe lidhjet e tij me kushërinjtë Habilajt e Vlorës, detaje të reja janë zbuluar nga mediat italiane mbi raportin e tij me bandën që kryente trafikun e drogës drejt Italisë.
MeridioNews raporton se është zbardhur dëshmia e një prej blerësve të drogës që vinte nga Shqipëria, Antonio Riela. 47-vjeçari ka rrëfyer në burg se nga Moisi Habilja ka mësuar se trafikanti që drejtonte bandën, mbrohej nga një person i rëndësishëm në Shqipëri.
Moisi (Habilaj, ed), më siguroi duke më thënë se ai ishte i mbrojtur nga një person i rëndësishëm në Shqipëri, i cili e ka lejuar që të eksportojë këto ngarkesa të mëdha të marihuanës, ka dëshmuar Reila.
Por kush është personi i rëndësishëm që i referohet Riela?
“Moisiu më tha edhe emrin e këtij personi, por tani nuk më kujtohet”, specifikon ai në përballjen me gjykatësin Andrea Bonomo, por diçka ka pasur në mendje trafikanti.
Antonio Riela, i lindur në Catania 47 vjet më parë, akuzohet se është një prej blerësve të drogës si dhe ka marrëdhënie të ngushta me trafikantin e drogës dhe shefin e dyshuar Moisi Habilaj, kushëririn e ish-ministrit të brendshëm shqiptar Saimir Tahiri. Riela përfundoi në burg në tetor 2017 dhe tani, pas disa muajsh, shfaqet përmbajtja e raportit të tij. Historia e Riela zbulon detajet e udhëtimit të marihuanës nga deti ose mbulimi institucional që do të kishte përfituar ky grup, thuhet më tej në artikullin për bandën Habilaj.
Të tjera detaje, Riela ka zbuluar edhe për bizhuteritë e famshme që Moisi Habilaj ka blerë për nënën dhe bashkëshorten e Saimir Tahirit.
Unë e shoqërova Moisiun tek një tregtar që qëndron prapa Gjykatës së Katanias, me një kryq në një derë. Unë nuk hyra, por e di se bizhuteritë do të niseshin për në Shqipëri dhe për këtë u blenë. Ishte dhjetor i vitit 2013, ka rrëfyer ai.
Çfarë ka thënë Riela për bizhuteritë nuk është lidhja e vetme e Habiljave me gurët e çmuar, pasi në dy përgjime, ata jën kapur duke folur me një bashkëpunëtor për të blerë dy rrathë me diamante të blera në Catania në vitin 2013. Sipas hetuesve bizhuteritë kanë qenë me vlerë prej rreth 4 mijë euro.
Ndërkohë, vetë Moisi Habilaj nga burgu Bicocca i ka thënë hetuesve: “Është e vërtetë, kam blerë ato- por ishin për gruan time.
Ndërkohë sa u takon pyetjeve që i janë bërë lidhur me akuzat për të, ai është shprehur se nuk dëshioron të flasë, ashtu si kundër nuk pranoi as të zbulonte emrin e pronarit të një depoje në Gravina di Catania, ku ai fshehu drogën.
Ndërkohë ka deklarata të reja edhe nga financieri i bandës, Nazer Seiti, i vetmi nga të dyshuarit qëë u arrestua në Shqipëri dhe më pas u ekstradua në Itali.
Në procesverbalin e tij, Seiti tregon se si do ti sillte paratë e drogës nga Italia në Shqipëri: “Ne i fshehëm në kuti detergjentash dhe pastaj shkuam me traget”.
Sidoqoftë, i dyshuari përjashton përdorimin e Audi A8 në pronësi të ish-ministrit Tahiri.
21 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)