(SPORT ESKPRES) - Laçi, në ditët brilante të një gare mëse të merituar, befas kthehet në objekt diskutimesh të javëve të fundit. Ndërsa personazhe të ndryshëm, qoftë dhe mediatikë, përpiqen t’i zbehin sadopak imazhin e krijuar me aq mund e djersë. Kështu pas tymnajës së hedhur nga krerët e Vllaznisë se, “Laçi fitoi në Shkodër nga ndikimi i gjyqtarëve dhe i Kotheres”, radha i ka ardhur peqinasve që, edhe pse u pritën si miq e u mundën në terren, krijuan trazira teksa përmes deputetit Sula dhe pjesëtarëve të tjerë iu sulën gjyqtarit Pashaj. Kërkesës për një prononcim zyrtar e klubit Laçi, lidhur me zhvillimet e dy javëve të shkuara, drejtuesit bardhezi iu përgjigjën me heshtje, duke menduar se instancat drejtuese të sportit do mund të vinin në vend nëpërkëmbjen e njërës prej skuadrave më shembullore të garës që sipas tyre, është Laçi. Por, një ditë pas sfidës me vlonjatët, ka vijuar e njëjta histori. Edhe pse Laçi ka luajtur tepër korrekt e ka fituar me meritë, sërish ka pasur kontestime. Në mjediset sportive të Laçit, por dhe në dëshmitë e lojtarëve laçjanë, vihet re indinjata e shpikjes së radhës, duke e shpjeguar sjelljen më të fundit, si dashakeqësi të hapur ndaj skuadrës kurbinase. Eduart Tanushi tha dje se ishte zgjuar i lumtur, sepse Laçi kishte arritur të fitonte një takim vërtet të merituar. Ai thotë se ka mbetur i shtangur kur në shtypin sportiv, ka mësuar se “Memelli qenka kërcënuar për të mos luajtur në pjesën e dytë”. Tanushi u bë autor i golit të tretë të bardhezinjve në 28’, duke e çuar rezultatin momental në 3-1. “Mos më pyesni për ndjesinë që të jep një gol i realizuar në ndeshje” - paraprin laçjani. “Shikoni se çfarë thonë për ne. Ky është turp, është një shëmti për të gjithë ata që pretendojnë se ka ngjarë diçka në Laç, gjatë zhvillimit te ndeshjes Laçi-Flamurtari. Skuadra jonë, por edhe faktorët e ditës së premte, në asnjë moment nuk kanë bërë figurë të keqe. Tani që ndeshja filmohet kanë gjetur mënyra e marifete të tjera për të na goditur. Shumë keq”, preu shkurt sulmuesi, duke iu referuar në dy radhë asaj që ka lexuar dje në shtypin sportiv. Por dhe autori i golit të dytë për Laçin, Emiliano Veliaj, ka të njëjtën përgjigje. Mesfushori 25-vjeçar ka theksuar se nuk ka parë e dëgjuar asgjë të keqe, apo anormale në fitoren me Flamurtarin. Veliaj: “Nuk di asgjë. Jam tepër i habitur me shtypin sot. Në vend që të thurren lavde dhe t’i bëhet e ditur lexuesit Laçi është skuadra më në formë e kampionatit, preferohet sulmi. Jam shumë i bindur se në Laç s’ka ngjarë asgjë”, tha Emiliano Veliaj dje.
Burimi: Albania-sport.comE Diele, 14 Shkurt 2010






 
Shto dhe ti komentin tend



Emri dhe e-maili