(E plotësuar) Ministri i Jashtëm britanik, William Hague, ka arritur në Beograd për bisedime me zyrtarët serbë.

“Kam ateruar në Beograd. U gëzohem bisedimeve me qeverinë e re. Për herë të parë do të takohem me presidentin Tomisllav Nikolliq”, ka shkruar Hague në Twitter-in e tij, raportojnë mediat serbe.

Kreu i Zyrës së Jashtme britanike ka arritur në Beograd nga Prishtina, ku ka takuar presidenten Atifete Jahjaga, kryeministrin Hashim Thaçi dhe zyrtarë të tjerë të shtetit.

Harta e Evropës Juglindore është e mbyllur

Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, e ka bërë sot të qartë në Prishtinë se harta e Evropës Juglindore është e përmbyllur dhe kjo do t’i rikonfirmohet edhe sot në Beograd. Ndërkohë ka thënë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është esencial për të dyja vendet që dëshirojnë integrimin në Bashkimin Evropian.

Sekretari i cili po qëndron për vizitë në Kosovë përherë të parë, pas takimit me Kryeministrin Thaçi tha se Mbretëria e Bashkuar fuqishëm mbështet vazhdimin e dialogut dhe përshëndet takimin Thaçi-Daçiq.

Lidhur për deklaratat dhe ambicieve të Beogradit,diplomati britanik e ka bërë të qartë, duke thënë se Serbisë iu është bërë e qartë edhe para dy viteve se harta e Evropës Juglindore është e përmbyllur.

“Ne e kemi bëri të qartë se çka duhet të bëjë Serbia për të marr statusin e kandidatit. Unë kam qenë në Serbi para dy vitesh së bashku me kolegun tim gjerman, dhe atje e thash se harta e Evropës juglindore është përmbyllur, dhe i thamë se nëse ju dëshironi të jeni vend kandidat, atëherë duhet të hyni në dialog me Kosovën. Prandaj ne jemi shumë të qartë me Serbinë sa i përket kësaj çështje”, ka theksuar Hague.

Hague duke folur për dialogun e nisur për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, theksoi se në fazën e parë të dialogut Baronesha Ashton, do të identifikoj çështjet që do të diskutohen.

Kurse, duke mirëpritur dhe përshëndetur takimin Thaçi – Daçiq, Hague tha se dialogu është e vetmja rrugë për të arritur ambiciet e integrimit Evropian.

“Dialogu Kosovë – Serbi për normalizim të marrëdhënieve është esencial për dyja vendet për të vazhduar rrugën evropiane. Mbështes fuqishëm takimin e javës së kaluar Thaçi –Daçiq dhe i inkurajoj të gjitha palët që të vazhdojnë këtë rrugë, këto mesazhe do t‘i them edhe në Beograd”, ka theksuar ai.

Për më tepër ai ka shtuar se Mbretëria e Bashkuar është një nga mbështetësit më të fuqishëm të Kosovës.

Ndërkohë kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka informuar sekretarin për takimin me kryeministrit serb Ivica Daçiq, që siç ka thënë ai, ishte një takim korrekt i frymës evropiane për normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, Thaçi është shprehur se nuk duhet të pritet që menjëherë pas fillimit të këtij dialogu të ndodh edhe njohja e Kosovës nga ana e Serbisë.

“Ne duhet të jemi realist, nuk duhet të presim që Serbia të njeh Kosovën në ditët apo javët dhe muajt e ardhshëm, por ka filluar në proces evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosova-Serbi. Pra,nuk do të presim në ditët dhe muajt e ardhshëm njohjen nga Serbia për shtetin e Kosovës dhe anasjelltas por presim sjelljet evropiane të Serbisë në raport me Kosovën, dhe ky relacion evropian Kosovë-Serbi do të rezultojë edhe me njohjen e pesë vendeve të Bashkimit Evropian të Kosovës dhe duhet rezultojë me anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Sekretari britanik Hague ka mbërritur dje pasdite në Prishtinë me ç’ rast është takuar me presidenten e vendit, Atifete Jahjaga, ndërsa sot para nisjes për në Beograd është takuar me përfaqësuesit e komuniteteve në Kosovë.