Bruksel - Komisioneri përgjegjës për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimit, Johannes Hahn, gjatë takimit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian në Bruksel, ka deklaruar për ABC News se është e rëndësishme që debati politik në Shqipëri të bëhet në Kuvend.

Ai ka përshëndetur emërimin e dy ndërmjetësuesve të Parlamentit Evropian për një marrëveshje midis mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri lidhur me kthimin e opozitës në Kuvend.

"Ne kemi thënë vazhdimisht, se debati politik duhet të zhvillohet në Parlament jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera ku opozita ka bojkotuar Parlamentin. Ne jemi në favor të arritjes të këtij qëllimi, kemi nxitur palët dhe kemi bërë ç`është e mundur që opozita të rikthehet në Parlament. Ky është një hap i parë i rëndësishëm", u shpreh ai. Komisioneri Hahn ka shtuar gjithashtu se qeveria e Serbisë dhe Kosovës duhet të intensifikojnë punën për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd. /Start/