Strasburg - Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian Johannes Hahn thotë se zgjedhjet lokale të 21 qershorit janë një mundësi e mirë si për opozitën ashtu edhe për mazhorancës.

"Këto zgjedhje janë një mundësi si për qeverinë, ashtu edhe për opozitën, për të mbajtur zotimin që kanë marrë, për të trajtuar siç duhet problemin e personave të akuzuar se kanë kryer vepra kriminale, për t'i mënjanuar ata nga funksionet publike, siç parashikohet në marrëveshjen politike të dhjetorit 2014," tha ai.

Hahn shprehet se hapja e negociatave me BE-në kërkon nga klasa politike shqiptare dialog politik konstruktiv, gjithëpërfshirës mes opozitës dhe mazhorancës, në zbatim të marrëveshjes së dhjetorit mes dy palëve.

"Ne presim që zgjedhjet lokale të 21 qershorit të realizohen sipas normave më të larta demokratike. Tani që amendamentet e Kodit Elektoral janë miratuar, i tërë procesi elektoral duhet të jetë i lirë, i ndershëm dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi. Unë personalisht jam i sigurt se institucionet përgjegjëse shqiptare dhe partitë politike mund ta garantojnë një kërkesë të tillë. Nga ana tjetër, këto zgjedhje janë një rast i mirë si për qeverinë, ashtu edhe për opozitën, për të mbajtur zotimin që kanë marrë, për të trajtuar siç duhet problemin e personave të akuzuar se kanë kryer vepra kriminale, për t'i mënjanuar ata nga funksionet publike, siç parashikohet në marrëveshjen politike të dhjetorit 2014", theksoi ai për "Panorama".

I pyetur për çështjen e azilkërkuesve shqiptarë, ai tha se lëvizja e lirë duhet ruajtur, duke ndihmuar shtresat në nevojë.
"Kjo arritje e madhe për Shqipërinë duhet ruajtur. Si mund të bëhet kjo? Unë mendoj se duhet rritur ndihma e kujdesi për ato shtresa të popullsisë më të pambrojtura ekonomikisht. Nga ana tjetër, kjo kërkon bashkëpunim operacional, shkëmbim informacioni mes partnerëve, hetim rreth atyre që nxixin emigracionin e paligjshëm si dhe forcim i kontrollit në kufi".

"Jam i ndërgjegjshëm se mbetet shumë për të bërë në përmirësimin e mjedisit e të kushteve për investimet dhe krijimin e vendeve të punës".


/GS/