Ndryshe nga çka vendosur Grupi Parlamentar i PD, për tu përfaqësuar në seancën e sotme plenare me vetëm 4 deputetë që do të kërkonin votimin e amendamenteve të propozuar nga LSI për ti dalë në mbështetje studentëve, deputetja Rudina Hajdari është e pranishme në sallë dhe madje nga foltorja i është drejtuar politikës me një gjuhë të ashpër.


Hajdari ka bërë thirrje që deputetët ti japin fund show-t politik dhe të merren me zgjidhjen e problemeve.


Dhe sipas vajzës së Azem Hajdarit problemi është largimi i kësaj kaste politike, që do të mund të bëhej realitet vetëm nëpërmjet ndryshimit të kodit zgjedhor, duke rikthyer listat e hapura.


Sot kam ardhur në Kuvend për një arsye të vetme, jo për t’iu drejtuar këtij parlamenti as për të marrë një llokmë të studentëve. Studentëve bravo u qoftë që po ndryshojnë historinë e këtij vendi. Kam ardhur këtu për t’iu thënë ju që rrini nëpër kafe, që kushdo që foli në këtë seancë është kryehajdut. Asnjë nuk e do këtë vend dhe as keni për ta dashur.  Nëse doni ndryshime në këtë vend, sillni këtu kodin zgjedhor, mos mbani listat e mbyllura. Silleni këtu ta votojmë dhe atëherë do të pastrojmë këtë parlament, do të pastrojmë këtë kastë politike dhe do ta ndryshojmë këtë vend, tha deputetja e PD.


Duke u ndalur te protesta e studentëve, për të cilën është shprehur disa ditë më parë se mund ti bashkohet duke djegur mandatin, Hajdari tha se ata kanë dalë në shesh pasi janë të ngopur me politikën.


Doni ndryshim për studentët, ndryshoni auditorët, kapni ato pedagogët aty. Nëse e doni këtë vend mendoni seriozisht për vendin tuaj dhe mos hajdeni këtu të na bëni show politik se jemi të ngopur. Ky vend është ngopur. Studentët nuk dalin aty thjesht se duan ndryshime, ata janë të ngopur, theksoi Hajdari.


13 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)