28/04/2005  Babai i vëllezërve në kërkim është dënuar me 17 vjet heqje lirie


TIRANË – Prokuroria ka paraqitur para gjykatës listën e gjatë me provat shkresore dhe ato materiale, me anë të të cilave do të vërtetojë akuzat kundër të pandehurve, akuzuar se kanë kryer vepra penale në të ashtuquajturin grup "Hakmarrja për Drejtësi". Në radhën e gjatë të provave janë edhe emrat e 90-të dëshmitarëve, të cilët rast pas rasti do të pyeten për episode të ndryshme, që tashmë nuk ka dyshim se janë kryer. Një prej emrave shumë të përfolur në këtë dosje është edhe ai i babait të dy djemve të akuzuar, Orik dhe Leart Shyti.


Shyti


Kuptohet se Hajredin Shyti është kërkuar nga ana e akuzës që të paraqitet para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u pyetur në cilësinë e dëshmitarit. Shyti, i cili, sipas akuzës thuhet se figuron i dënuar me 17 vite heqje lirie për ngjarjet e 2 prillit 1991 në Shkodër, nuk dihet se ku e ka vendqëndrimin. Pas marrjes së dënimit, Hajredin Shyti u arrestua dhe e vuajti atë deri në ngjarjet e vitit 1997. Në 14 mars të këtij viti, Hajredin Shyti la qelitë e burgut për të mos u kthyer më. Që nga viti 1997, edhe pse ka qenë person i shpallur në kërkim, Hajredin Shyti nuk është kapur nga forcat e policisë për të vuajtur pjesën e dënimit të mbetur. Përfaqësuesit e akuzës e kanë futur në listën e dëshmitarëve, pasi, sipas tyre, Shyti është pyetur nga oficerët e policisë gjyqësore dhe në rast të mos identifikimit të vendndodhjes do të kërkohet leximi i deklarimeve. Për Prokurorinë, deklarimet e Shytit janë shumë domethënëse dhe shpjegojnë një pjesë të mirë të veprimtarisë së dy djemve të tij.


Dëshmitarët


Bashkë me Shytin, në listën e dëshmitarëve e kanë emrin edhe babai i ish-drejtorit të Burgjeve, Bujar Kaloshi, si dhe shumë oficerë të policisë gjyqësore, që kanë bërë veprimet në vendin e ngjarjes dhe kanë hartuar procesverbalet. Në listë ndodhet edhe emri i Erjon Nushit, i cili në momentin e rrëmbimit ishte vetëm dhjetë vjeç, ndërkohë që tani është i rritur. Po kështu, në dosje janë të shënuar edhe emrat e personave të bankave, të cilët kanë qenë në punë në momentin që janë grabitur nga njerëz të armatosur dhe me maska. Sipas akuzës, ajo që i mban me shpresë se mund të fitojnë para mbrojtjes në gjykatë, janë mjetet me të cilat kanë lëvizur të pandehurit, para dhe pas ndodhjes së ngjarjeve.


Të pandehurit


Orik Shyti


Leart Shyti


Altin Arapi


Pasho Novruzi


Dritan Hate


Gëzim Gjoni


Kreshnik Spahiu


Gentian Çaka


Nikolin Novruzi


Roland Shyti