Altin Arapi, Orik Shyti


Gjykata Kushtetuese vendosi dje të kthejë për rishqyrtim dosjen penale ndaj dhjetë personave të akuzuar si anëtarë të grupit të ashtuquajtur Hakmarrja për Drejtësi. Shtetasit Leart Shyti dhe Orik Shyti kanë shpërndarë mbrëmë një deklaratë për median, ku shprehen se Gjykata Kushtetuese në Tiranë rrëzoi dënimin e dhënë ndaj tyre nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apeli, i cili ishte lënë në fuqi në Gjykatën e Lartë. Vendimi origjinal i Gjykatës së Lartë, sipas Orik e Leart Shytit, ka nr.47 dhe datë 07.11.2011. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese rrëzon dënimin me burg përjetë të shtetasve Altin Arapi dhe Orik Shyti, si dhe dënimin me nga 24 vjet burg të shtetasve Gentian Caka e Roland Shyti. Po kështu, Kushtetuesja ka rrëzuar dënimin e shtetasve Kreshnik Spahiu, Nikolin Novruzaj e Leart Shyti me nga 24 vjet burg. Verdikti i Kushtetueses rrëzon edhe dënimin e shtetasve Dritan Hate me 23 vjet burg, Pasho Nevruzaj me 17 vjet heqje lirie dhe Gëzim Gjoni me 5 vjet burg. Nga shqyrtimi gjyqësor që i është bërë dosjes penale, Gjykata Kushtetuese mësohet se ka gjetur mangësi dhe shkelje që kanë cenuar rëndë procesin. Sipas Kushtetueses, shkeljet janë konsumuar në të tria shkallët e Gjyqësorit, nga Shkalla e Parë me shqyrtimin dhe administrimin e provave, nga Apeli me lënien e dënimeve në fuqi dhe nga Gjykata e Lartë me mosshqyrtimin e shkeljeve që ishin bërë në dosje. Në dhjetor të vitit 2010, Gjykata e Lartë nuk pranoi rekursin e bërë nga avokatët e dhjetë të akuzuarve si anëtarë të Hakmarrjes për Drejtësi. Ata kishin kërkuar rrëzimin e vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit për dënimin e dhjetë anëtarëve të Hakmarrjes. Në fazën e hetimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ata ishin akuzuar për krime të kryera pas vitit 1922, ku përfshiheshin 8 vrasje, 17 plagosje dhe 13 vjedhje e grabitje me armë. Sipas Prokurorisë, nga vjedhjet e grabitjet e kryera, të akuzuarit kanë përfituar më se 500 mijë dollarë dhe rreth 30 milionë lekë të rinj. Akuzat që janë ngritur ndaj të pandehurve, kanë pasur të bëjnë me ngjarje të rënda, si vendosja e bombës tek supermarketi i VEFA pranë 9-katësheve apo vrasja e ish-drejtorit të Burgjeve, Bujar Kaloshi. Në deklaratën e tyre ditën e djeshme, Orik dhe Leart Shyti pasi kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre, kanë pohuar se procesi tashmë i rrëzuar nga Kushtetuesja ka qenë një sajesë politike.