Tirana dhe Migen Memelli, komplikohet historia e dashurisë. Pas debateve gjatë ndeshjes me Skënderbeun, trajneri Alban Tafaj vendosi të pezullojë sulmuesin për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë kundër Lushnjës.

Gjithçka ka ndodhur pas stërvitjes së djeshme, ndërsa sipas burimeve pranë klubit mësohet se fillimisht drejtuesi i stolit nuk ia kishte komunikuar vendimin 29-vjeçarit.

Një takim mes palëve, me tone jo shumë të qeta dhe më pas largimi i Memellit, që ka pranuar vendimin për ta ndjekur takimin e sotëm nga tribuna. Justifikimi i klubit për masën disiplinore lidhet me faktin se lojtari nuk ka zbatuar udhëzimet taktike në sfidën e Korçës, megjithatë për të sqaruar problemin pritet të ndërhyjë edhe presidenti Refik Halili.

"Pezullimin e Memellit e mësova nëpërmjet një telefonate. Ende nuk e di arsyen përse ka ndodhur, por meqë ndodhem jashtë Tiranës, nesër (sot) do të takoj lojtarin dhe trajnerin Tafaj dhe do ta sqaroj këtë problem".

Zërat janë të shumtë: madje sipas disa prej tyre, drejtuesit po mendojnë mos t‘i rinovojnë kontratën golashënuesit më të mirë të sezonit të kaluar për shkak të kushteve financiare. Pengesa kryesore për marrëveshjen duket se është rroga e lartë e Memellit.

Megjithatë, drejtuesi më i lartë bardheblu theksoi: "Mendoj se Memelli nuk do të ikë nga Tirana". Goleadori shihet si një element mjaft i rëndësishëm për skuadrën në këtë edicion të Kategorisë Superiore (fjalë të Tafajt, i cili vetëm pak ditë më parë ngulmonte që Memelli të qëndronte).

Në anën tjetër, te Tirana ende nuk i kanë humbur shpresat për titullin. Halili shtoi se kampionët në fuqi do të luftojnë deri në fund: "Gara për titull? Tirana nuk do të dorëzohet deri në minutën e fundit. Ne do të luftojmë që të arrijmë objektivat, të cilat i kemi përcaktuar në fillim të sezonit. Shpresojmë që kundërshtari (Dinamo) të bëjë të njëjtat gabime që kemi bërë edhe ne deri më tani, e të na japë mundësinë të afrohemi edhe më shumë.

Megjithatë, mund të them se vetëm prej emrit që ka klubi Tirana, ne e kemi të garantuar pjesëmarrjen në kupat e Europës. Mund të them se jemi ekipi më i mirë në kampionat, me lojtarët më cilësorë. Besoj shumë te kjo skuadër. Shpresoj që deri në fund të kampionatit të kemi shansin që të bëjmë më të mirën tonë".