18/04/2012 Letra e hapur e ministrit të Drejtësisë, baza ligjore ku mbështetet
Ndonëse mbledhja e KLD-së për të zgjedhur nënkryetarin nuk do të zhvillohet sot, për shkak të axhendës së kryetarit, ministri Halimi i dërgoi dje atij një letër të hapur, ku shprehte kërkesën për ta tërhequr emrin e Ilir Musafajt. Kështu, Eduard Halimi ia kërkoi revokimin e këtij propozimi Bamir Topit në letrën me nr protokolli 305 dhe me lëndë “Kërkesë për revokimin e propozimit Tuaj për zëvendëskryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga radhët e gjyqtarëve për shkak se bie ndesh me Kushtetutën”. Ndërkaq, mbledhja e së hënës u shoqërua me debate, ku fillimisht nuk u pranua prania e kamerave e më pas Elvis Cefa u pranua si anëtar i KLD-së, ndërsa kryetari Topi propozoi Ilir Musafajn si nënkryetar në vend të vendit bosh që ka lënë Kreshnik Spahiu. Mbledhja e KLD-së, që ishte vendosur të mbahej sot, është shtyrë për shkak të vizitës zyrtare të Presidentit Bamir Topi në Maqedoni.
Letra
Mes të tjerave Halimi shkruan në letër se “I nderuar President. Më datën 16 prill 2012 Ju thirrët mbledhjen e radhës të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, rendi i ditës i të cilës, përfshinte si çështje të parë, vendimmarrjen mbi propozimin Tuaj për zëvendëskryetarin e KLD-së. Në këtë mbledhje, Ju paraqitët propozimin konkret që një anëtar i KLD-së, nga radhët e gjyqtarëve të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, të zgjidhej zëvendëskryetar i këtij Këshilli. Gjatë mbledhjes nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe nga unë personalisht u ngrit dhe u diskutua çështja e antikushtetutshmërisë së propozimit për zgjedhjen në pozicionin e zëvendëskryetarit të KLD-së të një anëtari nga radhët e gjyqtarëve. Në cilësinë e ministrit të Drejtësisë, ju kërkoj revokimin e propozimit tuaj sepse ai bie ndesh me nenin 147 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Në këtë kuadër, Ju ftoj të tërhiqni propozimin tuaj për zgjedhjen në detyrën e zëvendëskryetarit të KLD-së, një anëtar nga radhët e gjyqtarëve të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Ky propozim, jo vetëm përbën një akt të paprecedent në traditën kushtetuese të ushtrimit të veprimtarisë së Presidentit të Republikës, në detyrën e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë sepse është antikushtetues, por mbi të gjitha krijon tension institucional artificial dhe dëmton zhdërvjelltësinë, që aktiviteti i këtij Këshilli duhet të ketë nën drejtimin e një anëtari jo gjyqtar. Propozimi Juaj për një anëtar nga radhët e gjyqtarëve të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare nuk përputhet me kuadrin ligjor kushtetues në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Është detyrë e Juaja, si kryetar i shtetit, President i Republikës, si dhe e çdo zyrtari shtetëror të zbatoni Kushtetutën, ligjin themeltar të shtetit, ajo mbi të cilën Ju jeni betuar kur keni marrë detyrën si President, ndaj dhe në cilësinë e ministrit të Drejtësisë, njëherazi anëtar për shkak detyre i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ju kërkoj revokimin e propozimit Tuaj për zgjedhjen e zëvendëskryetarit të KLD-së nga radhët e gjyqtarëve sepse bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”. Më tej Halimi për të mbështetur arsyetimin e antikushtetutshmërisë së kanditaturës së Ilir Mustafajt i referohet nenit 147 të Kushtetutës, ligjit nr. 8811/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e KLD-së” dhe vendimit nr. 14, datë 22.05.2006 të Gjykatës Kushtetuese. Në këto referenca ligjore Halimi mbron atë që e quan shkelje të Kushtetutës nëse zgjidhet nënkryetar i KLD-së, një anëtar të Konferencës Gjyqësore Kombëtare.
Këshilltari Krasniqi: Presidenti po sulmohet, të tjerë atnikushtetues
“Ligjore kandidatura e Topit për nënkryetar të KLD-së, Halimi shtrembëron faktet”
Afrim Krasniqi, këshilltar i Presidentit të Republikës, reagoi dje për çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit të KLD-së. Krasniqi tha se “Akti kushtetues i Presidentit është ndeshur me një fushatë bllokuese dhe denigruese të ndërmarrë nga zyrtarë të lartë të ekzekutivit dhe mazhorancës, përfshirë sot edhe Kryeministrin e vendit. Në përpjekje për zhvendosjen e krizës politike nga Parlamenti në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe për tërheqjen e vëmendjes nga skandalet politike të radhës, - Kryeministri dhe zëdhënësi i tij në Ministrinë e Drejtësisë, shpallën publikisht synimin e tyre për të deleguar në detyrën e lartë të zëvendëskryetarit të KLD-së njërin prej kandidatëve të preferuar politikë, të zgjedhur në mënyrë të debatueshme në Parlament. Duke refuzuar votën konkurruese dhe procedurat kushtetuese, ata zgjodhën edhe këtë herë mjetet e presionit mediatik dhe verbal, shantazhin politik mbi Institucionin e Presidentit dhe të anëtarëve të tjerë të KLD-së, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për rendin kushtetues në vend dhe integritetin e institucioneve kushtetuese. Presidenti i Republikës vlerëson se deklaratat ultimative për të deleguar përfaqësuesin politik të Parlamentit në postin kushtetues të zëvendëskryetarit të KLD-së janë sa të papranueshme, aq edhe një zhvillim negativ për shtetin e të drejtës në Shqipëri. Sulmi denigrues dhe i padenjë për një zyrtar shteti ndaj Presidentit të Republikës, lidhet me mentalitete e sjellje të periudhës kur vendi drejtohet nga partia – shtet”. Ndërkaq, për pretendimet ligjore Krasniqi tha se “Për çdo person me njohuri minimale juridike, që merr mundimin të lexojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2006 të cituar në mënyrë spekulative në deklaratat e tyre të sotme, do të ishte i papranueshëm shtrembërimi dhe keqpërdorimi i këtij vendimi për të përmbushur synimet e tyre politike. Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj ka rrëzuar ndryshimet që iu bënë ligjit organik të KLD-së në vitin 2005, sepse me këto ndryshime të gjithë anëtarët e KLD-së ktheheshin në zyrtarë me kohë të plotë. Qëllimisht nga mazhoranca sot nuk përmendet dispozitivi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili në mënyrë konkrete ka shfuqizuar 5 nene të ndryshimeve në ligjin organik dhe ka lënë në fuqi nenin 12, nen i cili në mënyrë shumë të qartë shprehet se zëvendëskryetar i KLD-së mund të jetë edhe një nga gjyqtarët që janë anëtarë të KLD-së, por me kushtin që në momentin e zgjedhjes së tij të japë dorëheqje nga detyra e gjyqtarit”. Më tej Krasniqi iu përgjigj edhe disa akuzave të tjera se Presidenti i Republikës ka bërë shkelje të Kushtetutës. “Praktika e shkeljes së Kushtetutës faktikisht është bërë nga të tjerë, duke nxjerrë akte ligjore në kundërshtim me të, duke mbajtur në sirtaret e Parlamentit pa asnjë përgjigje dhe vendim siç edhe vijon të ndodhë, dekrete presidenciale për emërim në Gjykatën e Lartë, duke kryer emërime antikushtetuese në Forcat e Armatosura apo duke imponuar cenimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese dhe zëvendësimin e drejtuesve të tyre me individë me karrierë të qartë politike e partiake”,-tha Krasniqi.