Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, do ta pranojë vendimin e autoriteteve zgjedhore, pas hetimeve për manipulim, të cilat mund të rezultojnë me shfuqizimin e një milion votave për Karzain, gjë që atij do tia mohonte fitoren qysh në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, kanë theksuar sot bashkëpunëtorë të tij.



Kjo deklaratë u bë pasi që Karzai u përball me trysninë e fuqishme ndërkombëtarë, për ti dhënë fund kaosit politik në Afganistan.



Ishte kjo deklarata e parë e ekipit të Karzait se presidenti do ta respektojë ligjin dhe se do ta pranojë mbajtjen e rrethit të dytë zgjedhor, nëse autoritetet zgjedhore japin urdhër për zhvillimin e tij.



Ne duhet të presim kumtesën përfundimtare të organit të ligjshëm, e që është Komisioni i Pavarur Zgjedhor dhe pasi që ky Komision kumton rezultatin, atëherë bazuar në ligj ne duhet ta pranojmë këtë rezultat, theksoi bashkëpunëtori i Karzait, Vaheed Omar.



Zyrtarët zgjedhur diskutuan sot për implikimet e raportit të një Komisioni tjetër afganë, të mbështetur nga OKB-ja, i cili do ta detyronte Kabulin që të organizojë rrethin e dytë zgjedhor apo të formojë qeverinë e unitetit, për ti dhënë fund kaosit politik, i cili po zgjatë që dy muaj.



Një mision i pavarur vëzhgues nga SHBA-ja theksoi se raporti nënkupton shfuqizimin e 1.3 milionë votave, përfshirë këtu edhe rreth 1 milionë vota të Karzait, gjë që do të ulte në 48 për qind numrin e votave, të cilat ai i ka siguruar në rrethin e parë. Kjo përqindje nuk do ti mjaftojë atij për të shënuar fitore qysh në rrethin e parë.



Nëse autoritetet zgjedhore në Afganistan e konfirmojnë dhe e pranojnë, atëherë duhet të zhvillohet rrethi i dytë zgjedhor ndërmjet Karzait dhe rivalit të tij, ish-ministrit të Jashtëm, Abdullah Abdullahut.