Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, mirëpriti sot konfirmimin e tij për president të vendit dhe ftoi rivalët e tij që të përfshihen në qeverinë e tij të re, duke premtuar se do të krijojë një qeveri, e cila do të luftojë korrupsionin, dukuri kjo e cila ka minuar administratën e tij paraprake.



Karzai këtë deklaratë e bëri vetëm një ditë pas vendimit që ai të shpallet fitues i zgjedhjeve presidenciale, të cilat u karakterizuan nga manipulimet e shumta dhe pas vendimit të rivalit të tij kryesor që të tërhiqet nga rrethi i dytë i planifikuar i zgjedhjeve, për të cilin ai theksoi se nuk mund të jetë i lirë dhe korrekt.



Karzai theksoi se dëshiron që në qeverinë e tij të përfshihen njerëz nga të gjitha anët e Afganistanit, përfshirë këtu edhe përfaqësuesit e talebanëve, të cilët janë të gatshëm që të bashkëpunojnë me administratën dhe rivalët e tyre politik.



Por ai asnjëherë nuk e përmendi me emër rivalin e tij kryesor në zgjedhje, ish-ministrin e Jashtëm, Abdullah Abdullahun, i cili vendosi të tërhiqet nga gara.



Ata njerëz, të cilët dëshirojnë të punojnë më mua, janë të mirëseardhur, pa marrë parasysh se a më kanë kundërshtuar apo mbështetur gjatë procesit zgjedhor, tha Karzai.