Komisioni Zgjedhor në Afganistan ka shpallur presidentin aktual, Hamid Karzain, fitues të zgjedhjeve presidenciale, pasi që anuloi sot rrethin e dytë të planifikuar zgjedhor, duke i dhënë kështu fund krizës politike, e cila filloi pas rrethit të parë të zgjedhjeve, i cili u zhvillua muajin e kaluar dhe i cili u karakterizua nga manipulimet e mëdha.



Administrata e presidentit amerikan, Barack Obama, është duke pritur me padurim formimin e qeverisë legjitime në Afganistan, para se të marrë vendimin për atë se a do të dërgojë me mijëra ushtarë shtesë në këtë vend, për tu përballur me kryengritjen gjithnjë e më të ashpër në këtë shtet.



Anulimi i rrethit të dytë të zgjedhjeve, i cili ishte paraparë të zhvillohej të shtunën, u bë vetëm një ditë pasi që ish-ministri i Jashtëm i Afganistanit, Abdullah Abdullah, kumtoi tërheqjen e tij nga gara. Abdullah theksoi se zgjedhjet nuk kanë mundur të jenë korrekte dhe akuzoi për njëanshmëri Komisionin e Pavarur Zgjedhor, anëtarët e së cilit janë emëruar nga Karzai.



Vendimi për anulim ishte një lehtësim i madh për organizatorët, të cilët ju frikësuan valës së re të sulmeve, të cilat kanë mundur të ndërmerren ditën e zgjedhjeve, pasi që talebanët ishin kërcënuar se do të sulmojnë të gjithë ata, të cilët kanë vendosur të votojnë.