Qeveria ka miratuar hapjen e programeve të studimeve të doktoraturave në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës. Këshilli i Ministrave dje në mbledhjen e radhës miratoi edhe kuotat e pranimit dhe tarifat e shkollimit për këto programe studimi. Dy programeve doktorature në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe 8 programe doktorature në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Për më tepër gjatë mbledhjes së djeshme u miratua edhe hapja e Masterave të Nivelit të Dytë në Akademinë e Arteve dhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës.


Programet


Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës janë hapur programet e studimit doktoraturë në “Shkenca gjuhësore” dhe kuota e pranimit është 25. Ndërsa programi i dytë është në “Letërsi botërore” dhe kuota e pranimit është 40. Për Fakultetin e Shkencave Natyrore janë miratuar 8 programe të studimeve të ciklit të tretë, të doktoratës.


Kështu, është hapur programi i doktoraturës në “Fizikë” dhe kuota e pranimit është 10. Doktoratë në “Analiza kimike e lëndës dhe mjedisit dhe kuota e pranimit është 10. Doktoratë në “Elektrokimi e zbatuar dhe dukuritë sipërfaqësore” dhe kuota e pranimit është 10. Doktoratë në “Teknologji dhe mikrobiologjia e ushqimeve, vlerësimi i sigurisë dhe cilësisë” dhe kuotat e pranimit janë 6.


Një tjetër program në doktoratë është edhe “Proceset e trajtimit kimik të lëndëve të para natyrore dhe të mbeturinave industriale e urbane” me 10 kuota pranimi. Doktoratë në “Biologji molekulare” me 10 kuota pranimi si dhe doktoratë në “Biologji e ruajtjes” me 10 kuota pranimi gjithashtu edhe programe doktorature në “Bioteknologji bimore”, me 6 kuota pranimi.


Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave për çdo program studimi, 10% (dhjetë për qind) e kuotave të mësipërme caktohet për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe administrohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sipas kërkesave të institucioneve përkatëse zyrtare të këtyre trojeve. Tarifa e shkollimit është 200 000 (dyqind mijë) lekë dhe likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste të caktuara nga fakulteti përkatës.


MND tek Artet


Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave janë përcaktuar gjithashtu kuotat e pranimit dhe tarifat e shkollimit në programet e studimeve Master të Nivelit të Dytë, në Fakultetin e Muzikës, të Akademisë së Arteve. Kështu, për 1565 kuota për kandidatët shqiptarë, nga të cilat 10% në kuotën e çdo programi studimi janë për studentët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë. Tarifa e shkollimit për studentët e regjistruar në MND në vitin akademik 2009-2010 është 100 000 (një qind mijë) lekë. Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife shkollimi, që likuidohet në këste të caktuara nga fakulteti përkatës. Studentët nga Shqipëria që kanë kryer me rezultate të shkëlqyera ciklin pararendës të studimeve, nuk e paguajnë tarifën e shkollimit. Kuota e pranimit në programin e studimeve Master i Nivelit të Dytë, në “Interpretim”, është 40. Dy kuota prej tyre caktohen për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.


MND te Shkencat


Po ashtu, u miratua edhe hapja e programeve të studimit të Masterit të Nivelit të Dytë në “Kimi” dhe “Kimi industriale e mjedisore” në Fakultetin e Shkencave Natyrore, në Universitetin e Tiranës. Kështu, Këshilli i Ministrave vendosi hapjen e programit MND në “Kimi”, me profil “Elektrokimia e korrozionit dhe dukuritë sipërfaqësore”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i Nivelit të Dytë”, MND, në “Kimi”, me drejtim “Eelektrokimia e korrozionit dhe dukuritë sipërfaqësore”. Gjithashtu edhe në “Kimi industriale e mjedisore”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i Nivelit të Dytë”, MND, në “Kimi industriale e mjedisore”. Programet e studimit “Master i Nivelit të Dytë” realizohen me 60 kredite dhe kohëzgjatja normale është një vit. Këto programe studimi fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2009-2010.